Hillary Clinton: Liria e lëvizjes duhet të rikthehet në Veri
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/3411_3_129.jpg?itok=705qQVnN)
Sekretarja amerikane e shtetit tha sot se bllokimi i rrugëve në Veri të Kosovës nga disa radikalë serbë, e ka vendosur rajonin në një pozicion shumë të vështirë.
“Ne e dënuam dhunën kundër forcave të KFOR-it dhe rikonfirmuam qëndrimin tonë se liria e lëvizjes duhet të rikthehet për KFOR-in, për misionin e Bashkimit Evropian, EULEX dhe të gjitha palët e tjera në Veri”, tha zonja Clinton.
Ballkani ishte një nga temat e takimit ministerial të NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetjen për KFOR-in, si edhe integrimin euro-atlantik të rajonit.
Shtetet e Bashkuara shprehën angazhimin e vazhdueshëm për integrimin e Ballkanit në institucionet euro-atlantike. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha dje në prag të takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, se Ballkani do të jetë një nga temat e takimit ku merr pjesë Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton.
Zyrtari i lartë tha se ishte koha e duhur për të diskutuar mbi rajonin duke pasur parasysh zhvillimet e fundit. Zyrtari tha se zonja Clinton do të shprehte mbështetjen e fuqishme për KFOR-in, ku bëjnë pjesë edhe trupat amerikane.
“Ne duhet të sigurohemi se aleanca është e bashkuar në mbështetjen me burime të KFOR-it dhe për të garantuar një mjedis të sigurt si edhe lirinë e lëvizjes në Kosovën veriore”, tha zyrtari.
Sekretarja amerikane e shtetit do të shprehte gjithashtu mbështetjen për politikën e dyerve të hapura për vendet e Ballkanit në NATO.
Zëri i Amerikës
Add new comment