Obama kërkesë Iranit: Na ktheni avionin spiun
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/5502_0_1.jpg?itok=WhE06mun)
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, konfirmoi se autoritetet amerikane i kanë kërkuar Iranit që t’i kthejë mbrapsht avionin spiun të rrëzuar nga ushtria e vendit aziatik, pas shkeljes së paautorizuar të hapësirës ajrore.
Obama theksoi se nuk ka ndërmend të komentojë mbi raportimet e shërbimeve sekrete, por pranoi se “I kemi kërkuar të na e kthejnë. Tani jemi në pritje të përgjigjes së Teheranit”.
Pentagoni përgënjeshtroi lajmin fillestar se kishte humbur një avion mbi Iran, por pamjet e një televizioni vendas nuk lanë vend për dyshime, ku u transmetuan gjatë javës së shkuar. Megjithatë, ndërsa Teherani raportoi për rrëzimin e tij, Uashingtoni pretendon se avioni spiun pësoi një “avari” ndërsa ishte duke fluturuar mbi vend.
Avioni pa pilot, i llojit “RQ-170 Sentinel”, është i pajisur me disa pjesë të një teknologjie tepër të rezervuar ushtarake, në shërbim vetëm të forcave amerikane. Më parë gjatë të hënës, Televizioni Shtetëror Iranian raportoi se ekspertët ushtarakë ishin në prag të zbërthimit të kodit sekret që përdor mjeti i telekomanduar.
Një antar parlamentar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare, Parviz Sorouri, u shpreh se informacioni i nxjerrë do të përdoret për të ngritur një padi ndërkombëtare ndaj Shteteve të Bashkuara për “dhunimin e sovranitetit territorial”.
Garda Revolucionare, oficerët e së cilës u paraqitën nga pamjet televizive duke inspektuar avionin, informoi se mundi të rrëzonte aeroplanin duke manipuluar komandat e tij elektronike që nga toka, kur ai ndodhej 250 kilometra në brendësi të territorit Iranian.
Një burim brenda Pentagonit konfirmoi se mjeti po përdorej për të monitoruar aktivitetin e Iranit mbi programin e tij bërthamor. SHBA dhe vendet perëndimore besonë se Teherani po përpiqet të ndërtojë kapacitete ushtarake të shkatërrimit në masë, akuza që Irani i mohon me pretendimin se energjia bërthamore po zhvillohet vetëm për qëllime paqësore.
top-channel.tv
Add new comment