"Jo dënime kolektive". Nuk paguan faturat, mbetën pa ujë

Postuar në 15 Dhjetor, 2011 13:47

Banorët e Kënetës së Durrësit kanë mbetur pa ujë, pas një aksioni të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Në një protestë të zhvilluar gjatë paradites, ata kundërshtojnë dënimin kolektiv dhe thonë se i kanë paguar faturat e ujit, ndërsa linjat brenda lagjes i kanë ndërtuar me paratë e tyre.
 
"Ka katër ditë që është prerë. Njëlloj si për ata që kanë paguar, si për ata që nuk kanë paguar",-thotë një banor. 

"Ka 15 vjet që rrimë me tuba sa andej-këtej. Taksën shtetit ia paguajmë. Drita e ujë, të gjitha i kemi paguar", -shprehet një tjetër. 

"Kam një javë që shkoj tek Ujësjellësi. Ejani më rregulloni ujin. Ishte poshtë shtëpisë, e kanë çuar në mes të kënetës"-tha një tjetër. 

Por Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve thotë se në zonën e Kënetës, rreth 95 përqind e familjeve nuk e kanë paguar prej vitesh ujin e pijshëm dhe kjo është arsyeja e ndërprerjes së furnizimit me ujë.

"Janë 21 parcela. Ne kemi marrë një aksion vetëm në dy parcelat e para në të cilat s'po bëjmë as më shumë e as më pak, veç ndërprerjes së furnizimit me ujë të debitorëve. Në këtë zonë, duhet të theksoj se 95 përqind e popullatës është debitore, të cilët s'kanë paguar asnjëherë faturat e Ujësjellësit për shumë e shumë vite", -tha Franc Stajka, Kryeinxhinier i UKD-së. 

Zona e Kënetës në Durrës ka një popullsi prej rreth 30 mijë banorësh. Kohët e fundit në këtë zonë është shtrirë një tubacion i ri për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës. Ky investim përfshin edhe rrjetet dytësore për dërgimin e ujit në çdo shtëpi, por rrjeti do të jetë funksional vetëm pasi të bëhet shlyerja e borxheve të banorëve.

 

Aleks Kalemasi

 

Albanian Scree
   

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.