Siri, protesta masive kundër Asad

Postuar në 16 Dhjetor, 2011 12:14

Të paktën 200 mijë protestues të paarmatosur kanë zbritur në sheshin e qytetit Homs, qendër e manifestimeve antiqeveritare në Siri. Si çdo të premte në këto dhjetë muajt e fundit, aktivistët apeluan për protesta në qytetet kryesore të vendit, pas faljes së madhe të së premtes. Homsi ka qenë epiqendra e protestave, ku njoftohet për pjesëmarrje masive. 

Ushtria ka hapur zjarr mbi protestuesit duke vrarë të paktën gjashtë prej tyre në Homs. Por numri i saktë i viktimave mësohet vetëm të nesërmen kur aktivistët bëjnë bilancin, pasi mediat dhe vëzhguesit e huaj nuk lejohen në Siri. Më shumë se dy muaj pas planit të paqes të ofruar nga Liga Arabe trazirat në vend vazhdojnë të jenë të fuqishme. Veç Homsit, në protesta janë përfshirë qytetet Hama, i përgjakur shpesh nga ndërhyrja e ushtrisë, Dair az Zor në lindje, Qamishli  në verilindje dhe Dara, me shumicë kurde.

Por, protestat brenda vendit nuk janë i vetmi shqetësim për regjimin e presidentit Bashar Al Asad, pasi mediat izraelite të afërta me shërbimin sekret ushtarak të vendit, thonë se Damasku ka vendosur përgjatë kufirit me Turqinë 21 raketa, nga të cilat 5 Skud, tipi D të cilat kanë koka me mbushje kimike. Tensioni mes Ankarasë dhe Damaskut është rritur së tepërmi pasi qeveria turke mori hapur anën e opozitës siriane. 

Po sipas burimeve të agjencive sekrete, ushtarakët turq janë mbledhur me urgjencë nga presidenti Abdullah Gyl e kryeministri Rexhep Taip Erdogan për të rritur vigjilencën e forcave të armatosura. Në planin diplomatik, Rusia ofroi një draft-rezolutë në OKB, ku dënohet dhuna në Siri dhe vendet perëndimore për herë të parë thanë se kanë ndërmend të negociojnë draftin e Moskës, si një shans për të tejkaluar ngërçin në lidhje me masat ndaj Damaskut.

 

Albanian Screen

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.