Shuhet Vaclav Havel, heroi anti-komunist
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/8666_4_92.jpg?itok=q7QwI0eG)
Ish- presidenti i Republikës Çeke, hero i betejës epike që i dha fund Luftës së Ftohtë në Europë, lider i "Revolucionit të Kadifejtë", Vaclav Havel, ndërroi jetë në moshën 75- vjeçare. Havel një përdorues i rregullt i duhanit, zakon i mbetur që nga koha e burgosjes së tij nga regjimi komunist, vuante prej kohësh nga probleme kronike të frymëmarrjes.
Si president, ish-dramaturgu i dha tonet tranzicionit të Çekosllovakisë drejt demokracisë dhe ekonomisë së lirë të tregut, sikundër edhe ndarjes së shtetit në dy republika, atë Çeke dhe Sllovake në vitin 1993.
Pas ngjarjeve të vrullshme të atyre viteve, ai u bë presidenti i parë i pluralizmit në Çeki, ndërsa mbeti një figurë botërore edhe kur e la detyrën. Havel, siç e përshkruan Donald Rumsfeld, ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, ishte pjesë e Europës së re në vendet ish-komuniste që qëndruan në krah të Amerikës kur demokracitë e Europës së vjetër kundërshtuan pushtimin e Irakut më 2003.
Havel e la detyrën e presidentit në vitin 2003, 10 vjet pas ndarjes së Çekosllovakisë dhe vetëm disa muaj përpara se të dyja vendet që dolën prej saj, të anëtarësoheshin në Bashkimin Europian. Ai vlerësohet se vendosi bazat e anëtarësimit të republikës Çeke në bllokun 27- anëtarësh, si dhe për pranimin e vendit në NATO në vitin 1999.
"Vaslav Havel ishte një nga europianët më të mëdhenj të kohës sonë"- ishte një nga shumë komentet e politikës botërore, dhënë nga ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt.
Juli Prifti
Albanian Screen
Add new comment