Tiranë-Elbasan, 50 milionë USD kredi

Paketës së financimit për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan i bashkohet kredia e fundit, akorduar nga fondi i Abu Dhabit, prej 50 milionë dollarësh dhe me interes vjetor 4.5 për qind.
Marrëveshja është firmosur më parë nga ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe tashmë i mbetet Kuvendit të ratifikojë aktin, për t’i hapur rrugë zbatimit.
Për këtë shkak, drejtues të Drejtorisë së Rrugëve thonë se miratimi nga deputetët duhet të jetë me procedurë të përshpejtuar, pasi rruga ka nevojë për financim.
Gazeta “Shqip” bën të ditur se kredia nga arabët do të diskutohet sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ndërsa deputetët e opozitës kërkojnë që në mbledhje të jetë i pranishëm titullari i institucionit që menaxhon rrugët.
“Ne si opozitë e shikojmë të nevojshme që në komision të jetë i pranishëm drejtori i përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma, për të dhënë sqarimet e duhura për ecurinë e projektit”, tha anëtari socialist i komisionit, Erjon Braçe.
Pavarësisht thirrjes së opozitës, në komision pritet të jetë i gatshëm për t’u përgjigjur numri dy, Skënder Çota. Dy ditë më parë, gazeta “Shqip” bëri të mundur zbardhjen e projektit të rrugës, duke u fokusuar te punimet në tunel nga kompania greke “Aktor”.
Mësohet se tuneli i Kërrabës ndodhet në fazën e 41 për qind të punimeve, kompania ka marrë rreth 25 milionë dollarë deri tani, ndërsa përurimi parashikohet të kryhet në nëntor të këtij viti.
Bashkë me kredinë e Abu Dhabit, në total paketa e investimit do të jetë rreth 380 milionë dollarë, ndërsa pritet të nisin punimet edhe në dy anët e tjera të rrugës.
top-channel.tv
Add new comment