Bashkia: Familjet rome në palestrën e shkollës, Totozani: Jo zgjidhje e përshtatshme

Postuar në 02 Shkurt, 2012 11:22

Duket se do të marrë zgjidhje strehimi i 52 romëve, të cilët prej dy ditësh po rrinë në ambientet e institucionit të Avokatit të Popullit. 
Bëhet fjalë për familjet rome, cadrat dhe barakat e të cilëve u dogjën tek zona e Stacionit të Trenit, disa muaj më parë duke i lënë në qiell të hapur dhe në pamundësi për të ngritur cadrat diku tjetër ata u vendosën pranë Avokatit të Popullit.

Por sot, Bashkia e Tiranës deklaron se ata do të strehohen përkohësisht në palestrën e shkollës “1 Maji”.

“Në bashkëpunim me partnerët socialë, Bashkia do të krijojë kushtet e nevojshme jetike për këta persona. Ndërkohë, Bashkia ka siguruar çadra dhe mjete të tjera të nevojshme, në raste të ngjashme emergjencash”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Bashkia e Tiranës sqaron më tej se “është e ndjeshme ndaj këtij fenomeni dhe ka ngritur një grup pune, që do të trajtojë në vazhdimësi emergjenca të kësaj natyre”.

TOTOZANI: PALESTRA NUK ËSHTË ZGJIDHJA E PËRSHTATSHME
Avokati i Popullit, Igli Totozani ka falenderuar Bashkinë e Tiranës, për strehimin e romëve që qendrojnë për dy ditësh pranë institucionit të Avokatit të Popullit. Me anë të një letre, ai shpreh vullnetin për të bashkëpunar me Bashkinë e Tiranës, por mendon se strehimi në palestër nuk është një zgjidhje e përshtatshme.

“Bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës për trajtimin e kësaj çështjeje, por Avokati i Popullit kërkon një zgjidhje përfundimtare për këta njerëz. Avokati i Popullit kërkon një trajtim më dinjitoz për këta qytetarë shqiptarë dhe mendon se palestra nuk është zgjidhja e përshtatshme”, thuhet në letrën e tij.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.