Dhuna në familje, 2181 raste për 2011

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal që pritet të miratohen nga Parlamenti, lidhur me dhunën në familje e trajtojnë këtë fenomen jo më si një çështje private, por si një vepër penale. Për sa i përket statistikave për vitin 2011 strukturat e Policisë së Shtetit kanë evidentuar dhe trajtuar 2181 raste të dhunës në familje. Gjithashtu, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës , Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta janë përgatitur rreth 1345 kërkesë padi "Për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes". Sipas Alida Totës, drejtoreshë e Drejtorisë së Politikave për Shanset e Barabarta dhe Familjen pranë MPCSSHB, denoncimet e dhunës në familje kanë avancuar. "Stafet gjinore në Policinë e Shtetit në raportet e tyre, fokusuar tek dhuna me bazë gjinore, theksojnë se është rritur numri i denoncimeve dhe i kërkesave për Urdhër Mbrojtjeje apo Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje për viktimat e dhunës në lidhje familjare. Dhuna në familje nuk trajtohet si çështje private, por si një rrezik me pasoja për shëndetin fizik dhe psikologjik të individëve që përjetojnë dhunë në familje, ku më të ndjeshmit janë fëmijët", - shprehet Tota.
Denoncimi
Të gjithë personat që janë viktima të dhunës në familje mund të drejtohen pranë një sërë institucionesh për të denoncuar fenomenin. Në bazë të Ligjit 9669 "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare", një grua mund të denoncojë dhunën ndaj saj ose ndaj pjesëtarëve të familjes, pranë: Komisariatit të policisë, koordinatorit të dhunës në Bashki, administratorit social në komunë, punonjësit social në bashki/komunë, psikologut në shkollë, organizatave që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe vajzave, gjykatë, prokurori, punonjësit të shërbimit parësor shëndetësor ose tek avokati.
Masat
Sipas ndryshimeve që do të pësojë Kodi Penal çdo person që ushtron dhunë ndaj bashkëshortes do të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet. Sipas Totës ashpërsimi i ligjeve për dhunën në familje, pason fushatat sensibilizuese në mbrojtje të të drejtave të grave dhe fëmijëve, për të denoncuar dhe parandaluar çdo formë dhune. "Ndryshimet në kodin penal që pritet të miratohen në Parlament do të penalizojnë personat që ushtrojnë dhunë në marrëdhëniet familjare, duke e konsideruar dhunën në këto rrethana, jo më si çështje private, por si një vepër penale. Ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, kanë si qëllim pikërisht dënimin e dhunës në familje, përmes procesit penal", -thotë Tota.
Add new comment