Referendumi në Siri, opozita bojkoton votimin

Autoritetet siriane janë duke mbajtur një referendum për Kushtetutën e re të vendit, ndërsa në vend vazhdojnë trazirat e dhunshme dhe opozita ka bojkotuar procesin. Kushtetuta e re sanksionon mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare shumëpartiake brenda tre muajve në vazhdim, por opozita e ka cilësuar votën e së dielës si një farsë dhe kërkon që presidenti Bashar Al Asad të largohet nga pushteti.
E ndërkaq, në vend dhuna nuk ka të mbaruar, pasi aktivistët njoftuan edhe për 89 të vrarë të tjerë gjatë së shtunës në të gjithë territorin.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi edhe për dy persona të vrarë në luftime të reja mëngjesin e së dielës.
Pavarësisht kësaj, Qeveria e Al Asad ka vazhduar e pashqetësuar organizimin e referendumit, duke hapur më shumë se 13 mijë qendra votimi për 14. 6 milionë qytetarë me të drejtë vote.
Por sidoqë të jetë rezultati, Kushtetuta e re nuk pranohet nga opozita, e cila thotë se regjimi nuk ka respektuar asnjëherë Kushtetutën e vjetër e cila lejon lirinë e shprehjes dhe demonstratat paqësore, ndërsa ndalon torturën. Qeveria e Al Asad po përdor dhunën kundër protestuesve civilë që prej marsit të vitit të kaluar, ndërsa aktivistët kanë dhënë prova të torturave në burgjet siriane.
Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu i bëri jehonë kësaj pikëpamjeje duke thënë se Damasku nga njëra anë mban referendum dhe nga ana tjetër, sulmon zona të banuara nga civilët me zjarrin e tankeve.
Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar referendumin si qesharak, duke hedhur poshtë çdo rezultat që ai mund të prodhojë. Ndërsa miqtë e Sirisë, në takimin e mbajtur në Tunizi bënë thirrje që Asad të ndalë dhunën e të lejojë ndihmë humanitare në Homs. Por, kryqi i Kuq pranoi se nuk ka bërë asnjë progres në evakuimin e civilëve nga lagja Bab Amr në Homs, të cilët kanë rënë pre e dhunës së Ushtrisë.
Albanian Screen
Add new comment