Samiti i BE, arrihet marrëveshja fiskale. Investime për vende të reja pune

Postuar në 02 Mars, 2012 08:39

Nga kriza e borxhit tek rritja ekonomike është deviza e krerëve të shteteve në  samitin e  Brukselit të  cilët thonë se europa është gati tani për të kaluar në fazën e dytë, nga pakti fiskal tek investimet. Në Bruksel duket se janë lënë mënjanë kërkesat e rrepta gjermane dhe tani në fokus është rritja ekonomike dhe hapja e vendeve të punës në një kohë kur eurozona shënon një papunësi rekord me 10.7 përqind.

"Pakti fiskal ka vetëm një drejtim. Impenjimi nuk është thjesht një plan reduktimesh. Kemi nevojë  për të stabilizuar objektivat dhe strategjite e investimit pasi në të kundërt nuk do të stimulojmë rritjen dhe hapjen e vendeve të punës"-  u shpreh socialisti  Martin Schulz, president i parlamentit europian.

Por ndërkaq, duke komentuar rikonfirmimin e ish-kryeministrit belg Herman Van Rompuy në krye të Këshillit Evropian, analistët vlerësuan se sfidat e reja po përballen nën një lidership të vjetër. Prioritetet në tavolinën e diskutimeve sërish mbeten rishikimi i fondit të shpëtimit të shteteve. 

Në një ceremoni të vecantë liderët e BE-së nënshkruan Kompaktin Fiskal, traktatin e ri që kërkon më tepër disiplinë buxhetore mes shteteve. Traktati nuk ka firmën megjithatë të Britanisë dhe Republikës Çeke, të cilat e kishin bërë të ditur më herët qëndrimin e tyre.

"Tani të gjithë duhet të bindin parlamentet dhe votuesit se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për të sjellë sërish stabilitet në euro. Unë jam i sigurt që do të keni sukses"- tha Van Rompuy përpara liderëve të shteteve dhe qeverive. "Traktati është i shkurtër dhe i thukët. Përfitimet e tij janë të qarta. Dhe mbi të gjitha, ju jeni të gjithë politikanë të talentuar, pasi në të kundërt nuk do të ishit këtu", shtoi ai.

Sfida më e madhe mbetet Irlanda, e cila ka thirrur një referendum për  marrëveshjen. Votuesit aty kanë penguar përpjekjet për një integrim më të thellë dy herë në të kaluarën.

 

Albanian Screen

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.