‘Mein kampf’ lufta e Hitlerit, shitje rekord në Tiranë

Postuar në 17 Mars, 2012 04:26

 Autobiografia e shumë debatuar e Hitlerit "Mein Kampf", e publikur pak kohë më parë është një nga librat e shumëshitur në libraritë e kryeqytetit.

Edhe pse ai nuk kushton lirë, 1500 lekë, librashitësit shprehen se lexuesit nuk kanë nguruar ta blejnë. Në disa prej librarive të mëdha në vënd kanë mbetur vetëm pak kopje, pas furnizimeve të shumta nga shtëpia botuese, e në disa të tjera, librat kanë mbaruar.

“Mein Kampf", pas botimit të tij pak kohë më parë nga shtëpia botuese “Belina H", ka ngjallur mjaft debate në vend mes atyre që mendojnë se asnjë libër nuk duhet ndaluar dhe atyre që mendojnë se shoqëria shqiptare ende nuk është gati për këtë botim, pasi e shikojnë si mjet për nxitjen e urrejtjes në popull.

Edhe pse kundërshtimet kanë qënë të shumta, shitja e librit tregon se kurioziteti për librin e shumë përfolur, që shumëkush mund ta ketë lexuar edhe në gjuhë të huaj, ka qënë i madh.

Libri me 528 faqe është përkthyer nga Kushtrim Gjosti dhe përmbajtja e tij është e dënueshme nga Kodi Penal Shqiptar, sepse ky Kod, në nenet e tij, ndalon nxitjen e urrejtjes mbi baza racore, etnike, fetare. Ndërkohë që botimi i librit mund t’i kalojë prokurorisë nëse do të ketë kallëzim penal për të nga shoqata që kanë dalë hapur kundër botimit të tij.

“Mein Kampf” është shitur me miliona kopje në të gjithë botën. Ai nuk është i ndaluar në asnjë vend, por në Gjermani, shteti i Bavarisë ka nën pronësi të drejtat e librit dhe nuk jep autorizime për ripublikim. Libri është pjesërisht apo komplet në internet dhe gjendet në antikuarët brenda dhe jashtë Gjermanisë. 

"Lufta ime", konsiderohet si traktati politik i Hitlerit, i gërshetuar me elemente autobiografike, i botuar për herë të parë në vitin 1925. "Mein Kampf" farkëtoi tërësinë e ideve mbi nacionalizmin, pangjermanizmin, racizmin dhe solli holokaustin. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.