Spitali i Lezhës, pacientët: Mungojnë medikamentet

Spitali Rajonal i Lezhës përballon një fluks të lartë pacientësh, jo vetëm ata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme apo nga virozat stinore, por edhe urgjencat e aksidenteve si edhe të plagosurve me armë zjarri. Pacientët jashtë kamerave ngrejnë shqetësimin e mungesës së medikamenteve. Lidhur me këtë, drejtori i Spitalit, Novruz Bare shprehet se urgjenca është e furnizuar me kapacitet të plotë gjë që nuk ndodh në pavione.
"E vërtetë është dhe ju garantoj që në spitalin rajonal të Lezhës ka njëfarë periudhe që nuk kanë munguar medikamentet, sidomos urgjenca është e siguruar 100 për qind, ndërsa nëpër pavione ku shtrohen të sëmurët, medikamentet sigurohen në vazhdimësi, por gjithmonë e kam thënë se 90 për qind e medikamenteve kanë qenë të pranishme dhe nuk kanë munguar. Një kontigjent i cili blen një sasi të vogël medikamentesh, kuptohet që është i pakënaqur",-tha Bare.
Ndërkaq, përsa i përket shërbimit higjeno-sanitar, problem përbëjnë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në oborrin e spitalit. Ndërsa në një pyetësor që po realizohet nga administrata, 90 për qind e pacientëve janë të kënaqur me shërbimin. Strategjia kryesore e spitalit për vitin 2012 është përmirësimi i shërbimeve për të arritur akreditimin.
Albanian Screen
Add new comment