Zbulohet Xhamia e Qafës, u shemb nga diktatura në ‘67

Zbulohen themelet e një prej xhamive më të vjetra në qytetin e Shkodrës, Xhamisë së Qafës, e ndërtuar 300 vite më parë. Themelet e kësaj xhamie kanë dalë në dritë, ndërsa Myftinia e Shkodrës po bënte rikonstruksionin e Xhamisë së Plumbit. Myftiu i Shkodrës, Muhamet Syrtari pohoi se kemi të bëjmë me një objekt shumë të rëndësishëm, si nga ana arkitekturore, ashtu dhe nga ana kulturore.
“Rrënojat e zbuluara i përkasin Xhamisë së Qafës. Bëhet fjalë për xhaminë e njërës prej lagjeve më të vjetra, që ka qenë e vendosur në hyrje të qytetit të Shkodrës, ngjitur me kalanë “Rozafa”, buzë lumit Drin. Xhamia e Qafës është ndërtuar shumë kohë më parë se Xhamia e Plumbit. Ka një rëndësi të veçantë për vetë kohën e ndërtimit. “Ne si Myftini e Shkodrës dhe Komuniteti Musliman do t’i kërkojmë Monumenteve të Kulturës që këtë xhami ta klasifikojë si objekt të një rëndësie të veçantë, si monument kulture”, - është shprehur Syrtari. Sipas tij, shumë shpejt do të nisë puna për të pastruar të gjithë zonën, për të bërë rrethimin, me qëllim që objekti i zbuluar të jetë i gatshëm për t’u vizituar nga të gjithë të interesuarit. Pritet që objektin mbi 300-vjeçar të vijnë dhe ta inspektojnë specialistë të Monumenteve të Kulturës për të bërë verifikimet e nevojshme, ndonëse Myftinia është i sigurtë se bëhet fjalë për Xhamisë e Qafës, ndërtuar para 300 vitesh. Tashmë vetëm pak metra larg Xhamisë së Plumbit (e konsideruar si më e vjetra në Shkodër) kanë dalë themelet e Xhamisë së Qafës, e cila ka një rëndësi të veçantë për arkitekturën e saj. Xhamia e Qafës është shkatërruar plotësisht në vitin 1967, kohën kur regjimi komunist u mundua të zhdukte çdo gjë që ka lidhje me fenë. Madje, me një projekt të veçantë ishte parashikuar që tubacionet kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetin të kalonin pikërisht tek themelet e kësaj xhamie, që të shkatërrohej plotësisht. Deri para dy ditësh është menduar se nga kjo xhami nuk kishte asnjë shenjë të mbetur, por ndërsa punohej për të rregulluar oborrin e Xhamisë së Plumbit kanë dalë në dritë themelet e Xhamisë së Qafës. Në këtë zonë, buzë kalasë “Rozafa” janë duke u zhvilluar ekspedita arkeologjike, pasi sipas arkeologëve, kjo zonë fsheh shumë histori dhe vlera arkeologjike, jo vetëm për Shkodrën, por për më gjerë.
Ballkanweb.com
Add new comment