Veriu i Kosovës “strehë” për kriminelët

A është shndërruar veriu i Kosovës në një vendstrehim të kriminelëve? Kjo është pyetja në të cilën politikanë dhe mekanizma të sigurisë japin përgjigje të ndryshme për disa vjet me radhë.
Ish-komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it, Erhard Byhler pati deklaruar se në veri ka grupe kriminale, por megjithatë ai ftoi qeverinë në Prishtinë që të gjejë zgjidhje politike.
Po ashtu, edhe kryeministri Hashim Thaçi, në shumë raste ka deklaruar se veriu është shndërruar në oaz të krimit, por ai dhe qeveria që drejton janë treguar të pafuqishëm që të bëjnë diçka për ndryshimin e këtij realiteti.
Komunat paralele në veri, kanë edhe organet e tyre, që funksionojnë në bazë të ligjeve të Serbisë.
E ashtuquajtura “mbrojtja civile”, vepron në kuadër të këtyre komunave paralele. Emri i kësaj strukture është lakuar në disa raste se qëndron prapa incidenteve e tensioneve në veri.
Por, Marko Jakshiq, një nga liderët e serbëve thotë se “mbrojtja civile” nuk ka të bëjë me asnjë veprim, sipas tij të paligjshëm.
Se në veri ka individë dhe struktura të kërkuara për vepra të ndryshme kriminale, është i mendimit një politikan tjetër serb, Ranxhel Nojkiq.
Ai thotë se veriu po bëhet strehë e sigurt për kriminelët si nga Serbia ashtu edhe për ata nga Kosova. Sipas tij, këto grupe janë të ndërlidhura edhe me politikën.
“Unë i kuptoj disa nga policët, flas për ata të Policisë së Kosovës, të cilët nuk guxojnë tu kundërvihen këtyre qarqeve kriminale në veri, ngase në këtë rast ata do t’i nënshtroheshin mëshirës së tyre”, thotë Nojkiq.
Ekzistimin e grupeve kriminale në veri nuk e mohon as kryetari paralel i Mitrovicës, Krstimir Pantiq.
Por, ai mendon se fshehja në veri nuk është aq e sigurt, pasi që sipas tij, Ministria e Brendshme e Serbisë bashkëpunon shumë ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in në atë pjesë.
“Të gjitha këto grupe kriminale që ekzistojnë në veri të Kosovës kanë lidhje me individë në Beograd, qofshin ata nga partitë politike apo nga biznesi”, thotë Pantiq.
Misioni i EULEX-it dhe Policia e Kosovës, si prioritete kanë hetimet që do të zbardhnin vrasjen e policit Enver Zymberi dhe së fundit, vrasjen e qytetarit Selver Haradinaj, në banesën e tij.
Ballkanweb.com
Add new comment