Vetëvendosja proteston në Parlament, ndërpritet seanca

Edhe pse nisi punimet as disa minuta dhe seanca e Kuvendit të Kosovës ndërpritet për një konsultim me kryetarët e grupeve parlamentare.
Mbledhja sapo nisi, u ndërpre pasi dy deputetë të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca e Visar Ymeri, sapo deputetët e tjerë u ulen në vendet e tyre, nxorën një pankartë në pjesën ku rrinë kryesia, ministrat dhe ku ndodhet foltorja, me emrat e Selver Haradinajt e Enver Zymberit, që të dytë të vrarë në pjesën veriore të Mitrovicës nga serbët. Pas qëndrimit pa fjalë të tyre disa minuta para deputetëve të tjerë, kryekuvendari Jakup Krasniqi u kërkoi që t’i jepnin fund protestës, por ata vazhduan të qëndronin ashtu me pankartën në duar. Atëherë ai u tha deputetëve se po ndërpritej mbledhja për disa minuta dhe ftoi kryetarët e grupeve parlamentare për konsultë.
Në mbledhjen e sotme plenare, Kuvendi i Kosovës, pas pikave të përhershme - çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare - në rend dite ka vetëm një pikë: shqyrtimin për herë të dytë Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare.
Projektligji për bankat është kontestuar ashpër nga opozita sa bëri që ajo të të bojkotojë mbledhjet plenare. Mbetet të shihet reagimi i opozitës.
Megjithatë Kryesia e Kuvendit me shumicë votash vendosi dje që projektligji në fjalë të shqyrtohet në mbledhjen e sotme.
Kurse kërkesa e grupit parlamentar të Vetëvendosjes për mbledhje të jashtëzakonshme për gjendjen në veri të Kosovës, nuk ka gjetur mbështetje në takimin e Kryesisë.
Koha.net
Add new comment