FMN, Lagarde: Greqisë i duhet një koalicion qeverisës

Gjatë një fjale të mbajtur në Institutin Brookings, drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Christine Lagarde duket se sugjeroi raportet e reja në skenën politike greke dhe "fytyrën", që sipas saj, duhet të kenë zgjedhjet e ardhshme në Greqi.
"Qytetarët dhe politikanët grekë u treguan njerëz shumë trima me sakrificat e bëra deri tani dhe me përpjekjet e tyre për të kapërcyer krizën. Qeveria e koalicionit nën drejtimin e Lukas Papadhimos bëri përparime të rëndësishme dhe ne i njohim këto arritje”, tha kreu i FMN.
Ajo shtoi se vazhdimi i bashkëpunimit mes forcave politike do ta ndihmojë Greqinë të dalë nga moçali ku ndodhet. “Një koalicion i partive politike mund të jetë një udhërrëfyes për përmbushjen e detyrimeve të vështira me të cilat përballet Greqia", theksoi Lagarde.
Sipas mediave greke, me këto fjalë, drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, bën një ndërhyrje të re në punët e brendshme të vendit, në prag të zgjedhjeve të ardhshme të 6 majit.
Menjëherë pas deklaratës së drejtoreshës së FMN mbi nevojën e një koalicioni në Greqi pas zgjedhjeve, reagoi partia Demokracia e re. Zëdhënësi i saj deklaroi se "Populli grek do të shprehë lirisht vullnetin e tij në zgjedhjet e 6 majit" sepse Greqia duhet të ecë sërish në këmbët e veta, duke përsëritur nevojën për një mandat të fortë popullor.
Deklarata e Lagarde vjen pas atyre të përsëritura të liderit të Demokracisë së Re, Antonis Samaras, sipas të cilit nuk do të ketë asnjë koalicion me PASOK për bashkëqeverisje. Ai madje ka paralajmëruar se pa një mandat të qartë qeverisës, mund të ketë përsëritje të zgjedhjeve në Greqi.
Ballkanweb.com
Add new comment