Mitrovicë, shqiptarët heqin barrikadën serbe

Arkiv
Banorët shqiptarë të fshatrave në veri të Mitrovicës, të mbetur të izoluar nga barrikadat serbe, pas përpjekjeve të dështuara të qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve për t’i zhvendosur ato, janë organizuar e kanë ndërmarrë nisma personale për lirimin e rrugëve.
Top Channel mëson se në një rrugë pranë Leposaviçit, banorët shqiptarë kanë ndërhyrë me ekskavator për të hequr një barrikadë që izolonte katër fshatra, përkatësisht Koshtocën, Vllahinë, Bistricën dhe Cerrajën, fshatra me popullsi kryesisht shqiptare.
Ndërhyrja është bërë në prani të forcave të KFOR-it të cilat përgjatë gjithë kohës nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar shqiptarët.
Rruga në këtë zonë u bllokua mbrëmjen e së enjtes pas deklaratave të zv/kryeministrit Hajredin Kuçi
që la të hapur mundësinë e një aksioni të ngjashëm me atë të 25 korrikut të vitit të kaluar.
Mitrovicë, protestë kundër EULEX-it
Më herët gjatë së premtes të rinjtë kanë protestuar për gjysmë ore para selisë së EULEX-it në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie ndaj punës së këtij misioni.
Ata kanë protestuar me pankarta me mbishkrime shqip e anglisht si “Turp” dhe “Po përkëdhelni kriminelët në veri”.
Musa Damati, kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal ka thënë se EULEX-i me sjellje të njëanshme është duke provokuar haptazi durimin dhe maturinë e qytetarëve të Mitrovicës.
“Ndërsa në veriun e Mitrovicës arrestojnë dhe vrasin policët tanë, rrahin dhe vrasin bashkëqytetarët tanë, misioni i EULEX-it njësitet e veta i aktivizon vetëm atëherë kur
është e nevojshme arrestimi dhe burgosja e ish-ushtarëve të UÇK-së”, ka deklaruar Damati.
“Në qoftë se EULEX-i vazhdon të sillet në këtë formë të njëanshme, atëherë të rinjtë e qytetit të Mitrovicës do të organizohen në mënyrë masive dhe do të radikalizojnë format e ushtrimit të presionit publik mbi këtë mision”, ka theksuar ai.
top-channel.tv
Add new comment