Frikë nga euro, BSH: Shqiptarët depozita në lekë

Kriza e eurozonës i ka bërë shqiptarët më spetikë ndaj monedhës europiane. Ndaj ata kanë zgjedhur të mbajnë kursimet e tyre në monedhën vendase. Situata e paqartë për të ardhmen e euros, ka nxitur shqiptarët të rrisin besimin ndaj monedhës shqiptare dhe ti depozitojnë paratë në lekë.
Raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë i mbërritur në Kuvend, i cili pritet të prezantohet para deputetëve nga Guvernatori Fullani, është siguruar nga AS. Sipas këtij raporti gjatë vitit 2012, është ulur niveli i depozitave në valutë dhe ka një normë të rritjes së qëndrueshme të depozitave në lekë. Depozitat në lekë janë rritur me 10.4 përqind gjatë vitit 2011 ose 0.5 pikë përqindje më pak se një vit më parë. Struktura kohore e depozitave në lekë, tregon tendencën e zhvendosjes drejt depozitave me afat gjë që vihet re si te individët ashtu edhe bizneset.
Raporti i depozitave pa afat në lekë ndaj totalit të depozitave në lekë arriti në 18 përqind, krahasuar me 20 përqind një vit më parë. Depozitat në valutë janë luhatur mesatarisht rreth nivelit 47.7 përqind të depozitave totale gjatë vitit 2011. Por sipas raportit, norma e rritjes së depozitave në valutë prej 12.6 përqind është ndjeshëm më e ulët se norma e rritjes së tyre në vitin 2010, prej 28.1 përqind. Raporti vëren se ngadalësimi i dukshëm i ritmeve të rritjes së depozitave në valutë gjatë vitit, ka reflektuar zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë si dhe krijimin më të ulët të parasë në valutë.
Sipas raportit të BSH, perceptimi i një rreziku më të lartë për monedhën euro si pasojë e përkeqësimit të krizës së borxheve evropiane, duket të ketë influencuar në interesim më të ulët për ruajtjen e kursimeve në valutë. Për rrjedhojë, depozitat me afat të individëve kanë patur një rritje ndjeshëm më të ulët se një vit më parë. Ndërkohë, depozitat me afat të bizneseve janë tkurrur në përgjigje të nevojave të tyre për likuiditet dhe aktivitetit ekonomik. Nga ana tjetër kreditimi ka shënuar rritje të lehtë si për sektorin privat, ashtu edhe për individët.
Sipas raportit stoku i kredisë për sektorin privat të ekonomisë u rrit me rreth 49.4 miliardë lekë ose 9 përqind më shumë se në vitin 2010. Kredia për biznese gjatë vitit 2011 ka ruajtur ritmet pozitive të rritjes, ajo u zgjeruar me rreth 44 miliardë lekë, në të njëjtat nivele me atë të vitit të mëparshëm. Sektori më i kredituar gjatë këtij viti ka qenë ai i industrisë, i cili ka tërhequr 41 përqind të kredisë për biznese. Kredia për individë është zgjeruar me 5.4 miliardë lekë ose 2.4 herë më shumë se në vitin 2010.
Albanian Screen
Add new comment