Natë e tensionuar në Shkup, kërcënohen shqiptarët

Postuar në 16 Prill, 2012 06:34

Një automjet i një shqiptari në lagjen Radishan të Shkupit është djegur mbrëmë nga grupet maqedonase, që protestonin për vrasjet e 5 të rinjve pak ditë më parë. 

Dhjetëra të rinj, me kapela në kokë kanë qëndruar në rrugët kryesore të Radishanit, nën thirrjet për zbardhjen e vrasjes së pesëfishtë që ndodhi natën e së enjtes në afërsi të fshatit Smilkovc, informon agjencia e lajmeve INA. 

Banorët shqiptarë të kësaj lagjeje e kanë kaluar natën plot shqetësim dhe frikë pasi grupet e protestusve lëshonin herë pas here thirrje kërcënuese për vrasje dhe vdekje. 

Tensione kanë mbretëruar edhe në lagjen Butel, ku për pak situata desh degjeneroi në dhunë pasi një grup huliganësh dhe protestuesish ishin nisur për të sulmuar shtëpi shqiptare, por policia ka ndërhyrë në minutën e fundit duke larguar protestuesit. 

Një banor i lagjes Butel theksoi për agjencinë e lajmeve INA se situata ka qenë e tensionuar dhe se natën e kanë kaluar pa gjumë, për shkak të rrezikut nga sulmet e mundshme të huliganëve maqedonas. 

“Apelojmë që të ndërpriten këto skenare, sepse përndryshe rreziku mund të jetë me pasoja të mëdha dhe të eskalojë situatë e pakontrolluar. Turmat e çmendura patën si cak që të sulmojnë shtëpitë tona, por u evitua konflikti dhe qëllimet e tyre”, theksoi banori i Butelit, duke theksuar se janë dëgjuar edhe të shtëna. 

Në fshatin Luboten gjithashtu mbrëmë ka mbretëruar situatë shqetësuese, ndërsa protestuesit sërish kanë vënë barrikada në rrugën që lidh fshatin me lagjen Radishan dhe Shkupin. 

Në lagjen Draçevë në pjesën lindore të Shkupit sërish ështe vendosur një barrikadë me dhjetëra protestues maqedonas, të cilët kishin bllokuar rrugën që lidh Shkupin me fshatrat shqiptare të Karshiakës. 

Grupe të të rinjve maqedonas janë parë edhe nëpër lagje të tjera të Shkupit, si Lisiçe, Kisella Vodë, në një pjesë të lagjes Gazi Babë, etj. 

Nëpër rrugët e Shkupit kanë qenë të pranishme forca të shumta policie, të vendosura nëpër disa pika kontrolli. MPB ka vazhduar të mbajë të bllokuara disa akse rrugore që lidhin Radishanin dhe lagjen Butel. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.