Sondazhi: Parlamenti grek, ND merr 110 vende, PASOK 48

Rezultatet e sondazhit më të fundit para zgjedhjeve të 6 majit, ravijëzojnë një parlament me 10 parti në Greqi.
Nga sondazhi, që u krye për llogari të televizionit Alpha, rezulton se Demokracia e Re do t’i fitojë zgjedhjet me 22,3% të votave, duke siguruar 110 vende në parlament, e ndjekur nga PASOK-u me 17,8% dhe 48 vende.
Nga 26 vende do të marrin: Grekët e Pavarur me 9,9%, SYRIZA (9,8%) dhe partia Komuniste, KKE (9,7%). Më pas, E majta Demokratike 8,6% (23 vende), Chrysi Avgi 5,7% (15 vende), LAOS 3,9 % (10 vende), Ekologët e Gjelbër 3,1% (8 vende) dhe Aleanca Demokratike 3% dhe 8 vende.
6,2% e të pyeturve kanë deklaruar se “do të votojnë parti tjetër”. 44% deklarojnë se vota e tyre do të ketë karakter proteste, ndërsa 43,4% thonë se do të votojnë “për të mbështetur alternativat”.
Ndërkaq kreu i PASOK Evangjelos Venizelos, në një intervistë per TV Mega, pranoi se slogani i PASOK-ut në vitin 2009 «para ekzistojnë» ishte i gabuar dhe se duhej të ishin marrë masa si për t’iu dërguar një mesazh të qartë tregjeve financiare dhe për të reduktuar deficitin. Kur u pyet lidhur me masat që do të njoftojë qeveria e re në qershor, Venizelos siguroi se nuk do të preken pagat dhe pensionet e ulëta, nuk do të bëhen shkurtime horizontale dhe nuk do të vendosen taksa të reja.
Lidhur me deklaratat e Samaras për përsëritje të zgjedhjeve nëse s'ka shumicë të qartë, Venizelos vlerësoi se «përsëritja e zgjedhjeve është kërcënim i Samaras», duke shtuar se dicka e tillë do të ishte ndër të tjera një «shpërbërje e Ekonomisë». Ai theksoi se vendi nuk duhet të arrijë në anarki, duke shtuar se nëse Samaras kërkon me këmbëngulje të bëhet kryeministër, ai vetë nuk interesohet për këtë.
Lideri i partisë Demokracia e Re, Antonis Samaras u shfaq i bindur se Greqia do të arrijë qëllimin e saj për të dalë nga kriza dhe kërkoi përsëri një «mandat të qartë» nga populli grek në zgjedhjet e datës 6 Maj.
Ai theksoi gjithashtu se ndryshe nga të tjerët që spekulojnë në dështimin e Greqisë dhe vazhdojnë laicizmin, i cili shkatërroi vendin, Demokracia e Re garanton rimëkëmbjen, identitetin evropian, kohezionin social dhe stabilitetin politik.
Ballkanweb.com
Add new comment