Stournaras u nxitua? FMN dhe BQE: S'ka ende marrëveshje

Postuar në 25 Tetor, 2012 03:37

Disa orë pas deklaratës së ministrit grek të Financave, Janis Stournaras, sipas të cilit Athina ka arritur marrëveshjen me Trojkën dhe ka përfituar kohë shtesë për rregullimet fiskale, duket se në të vërtetë asgjë nuk ka mbaruar dhe rreziku nuk ka kaluar. 

Në një njoftim të lëshuar nga FMN thuhet se "diskutimet me autoritetet greke vazhdojnë. Eshtë bërë përparim në ditët e fundit, por ka disa çështje, për të cilat duhet të bihet dakord që të arrihet një marrëveshje të plotë në nivelin diplomatik". 

Duke folur me gazetarët në Berlin, kreu i BQE, Mario Draghi tha se shqyrtimi i fundit i Greqisë nuk ka përfunduar ende. “E kuptoj që është bërë përparim, por disa pjesë duhet të përcaktohen dhe nuk di asgjë më shumë se kaq". 

"Sipas të dhënave që ka ministria e Financave dhe qeveria gjermane, nuk ka asnjë informacion të ri", deklaroi mbrëmë ministri gjerman i financave Wolfgang Schäuble kur u pyet nëse i konfirmon artikujt që thonë se Trojka ka rënë dakord për t’i dhënë Greqisë një zgjatje të kohës për arritjen e objektivave të të rregullimit fiskal. "Unë nuk mund ta konfirmoj këtë", tha Wolfgang Schäuble, duke shtuar se çdo ditë, informacione të reja me dashje ose pa dashje, shkaktojnë paqartësi të madhe dhe theksoi se pritet raporti i Trojkës si një kusht për vendimet e mëtejshme. 

Ndërkohë mbrëmë deri pas mesnate kanë vazhduar negociatat midis partnerëve të qeverisë, Ministrit të Financave dhe përfaqësuesit e Trojkës, për të gjetur një kompromis mbi kundërshtimet e z. Fotis Kouvelis. Kreu i DIMAR, Fotis Kouvelis mbetet i palëkundur në refuzimin e tij lidhur me ndryshimet në marëdhëniet e punës. Kouvelis tha se DIMAR e ka të pamundur të votojë ndryshimet në marrëdhëniet e punës, megjithatë la të hapur një mundësi për të votuar, në rast se ka përmirësime. Sipas DIMAR tre janë skenarët për të dalë nga kriza qeveritare: 
1) Qeveria të kthejë pas masat për ndryshimin e marrëdhënieve në punë 
2) Të tërhiqen përkohësisht masat dhe të diskutohen në kohën e duhur 
3) Nëse paketa shkon në Parlament, DIMAR do të votojë kundër 

Greqia ka kërkuar zgjatje të afatit aktual, deri në vitin 2016, për t’i arritur objektivat e uljes së deficitit. Ministri grek i financave, njoftoi dje se është arritur marrëveshje për zgjatje të afatit, në mënyrë që Greqia ta fitojë të drejtën e ndihmës ndërkombëtare. 

Në rrezik është vendi, nëse nuk e merr këstin e ardhshëm të ndihmës, me vlerë euro 31.5 mld euro. Recesioni i Greqisë është më i thellë në Evropë. Shifrat më të fundit tregojnë se ekonomia e saj u tkurr me 6.2% në tremujorin e dytë të vitit ndërkohë që papunësia vazhdon të rritet çdo muaj. 

Ndërkohë, sipas analistëve në vend, ka shumë faktorë në nivel evropian dhe ndërkombëtar, që përgjojnë për të përfituar nga kontradiktat e brendshme, në mënyrë që të riaktivizojnë skenarin negativ të vendit jashtë euros. 

 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.