Greqi, sot Parlamenti voton masat e ashpra, grekët në rrugë

Postuar në 07 Nëntor, 2012 03:57

Parlamenti grek pritet të votojë sonte në mbrëmje paketën e masave të kursimit, që është një parakusht për lëvrimin e ndihmave financiare nga jashtë. 

Votimi i sotëm konsiderohet një sprovë për qeverinë e Antonis Samaras, në mesin e së cilës janë vënë re dridhjet e para. Kryeministri konservator mundi të parandalojë në kohë një revoltë në partinë e tij, kur përjashtoi nga grupi deputetin Nikos Stavrogianis, që refuzoi publikisht masat e kursimit, por problemi janë tani anëtarët e tjerë të koalicionit. 

"E Majta Demokratike" kundërshton reformën e planifikuar të tregut të punës, ndërkohë që zërat kundër kësaj pakete shtohen edhe në partinë socialiste, PASOK. Koalicioni me 3 parti ka shumicën në parlamentin grek me 175 prej 300 deputetëve. Eshtë tashmë e qartë se 16 deputetë të së Majtës Demokratike nuk do ta japin mbështetjen për paketën e masave, ndaj pritet me interes votimi i socialistëve për të paktën një shumicë të thjeshtë të deputetëve të pranishëm në sallë. Kreu i PASOK Evangelos Venizelos iu ka dërguar një mesazh të qartë deputetëve të partisë së tij se nuk do të tolerojë asnjë votë kundër apo abstenim, pasi konsideron se Memorandumi i masave është jetik për vendin.

Ndërkaq sot është dita e dytë e grevës që ka përfshirë Greqinë, ku punonjësit e sektorit publik dhe privat kanë ndërprerë punën në shenjë proteste, për miratimin e këtyre masave. 

Paketa e re e kursimit parashikon ndër të tjera, të ulë pensionet dhe pagat në shërbimin publik, të rrisë moshën e daljes në pension në 67 vjeç, largimin nga puna të 25 000 punonjësve të administratës publike deri në fund të vitit 2013 dhe të liberalizojë më tej tregun e punës.

 

Balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.