Lajçak: Shqipëria, progres të kufizuar

Postuar në 10 Dhjetor, 2012 16:35

Miroslav Lajçak, ish-i dërguari i veçantë i Përfaqësueses së Lartë Catherine Ashton në Shqipëri pas ngjarjeve të 21 janarit, sot ministër i Jashtëm i Sllovakisë, vlerëson se vendi ka bërë progres të kufizuar.

Në një intervistë për TCH, kryediplomati sllovak shton se përveç reformave, zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të kenë një ndikim shumë të rëndësishëm për aspiratat europiane të vendit.

Lajçak: “Vendi im, Sllovakia, është një mbështetës i fortë i zgjerimit europian drejt vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Pra, ky është një fakt. Dhe ne po i ofrojmë mbështetjen dhe ndihmën tonë vendit tuaj dhe vendeve të tjera në rajon. Kur flasim për Shqipërinë, e cila sapo

 

festoi një ditëlindje të madhe, 100 vjetorin, fakt është se gjatë vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti, vendi nuk përdori kohën sipas mundësive më të mira.

Shqipëria është një vend ku gjithçka është në duart e saj. Nuk kufizohet nga çështje të pazgjidhura territoresh, emrash apo me diçka që po e bllokon vendin nga një progres më i madh në integrimin europian. Megjithatë, progresi ishte më shumë i kufizuar. Nuk jam unë që e them, por kjo u reflektua qartë në raportin e Komisionit dhe mendoj se do të reflektohet dhe në konkluzionet e samitit të dhjetorit të Bashkimit Europian.

Dua të shpreh shpresën time se mesazhi nga Brukseli i liderëve europianë do të shërbejë si një zile zgjjimi për të gjithë liderët politikë që mendojnë me të vërtetë në përfitim të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, që të nisin të punojnë me shpejtësi të dyfishtë për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë”.

TCH: Ju ndoqët zhvillimin e zgjedhjeve lokale të vitit 2009 në postin tuaj të mëparshëm. Cili është mesazhi juaj për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, dhe a përbëjnë ato një kusht për statusin?

Lajçak: “Unë uroj me të vërtetë që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të përmbushin kriteret europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Uroj me të vërtetë se do të ketë vetëm një interpretim të rezultatit zgjedhor. Uroj shumë se këto zgjedhje do të përbëjnë një impuls shumë të fortë për të promovuar ambiciet europiane të Shqipërisë.

Udhëheqësit e të gjitha partive tuaja politike e dinë shumë mirë se çfarë pritet prej tyre. E dinë saktësisht se çfarë u rekomandua nga Bashkimi Europian, nga OSBE, për të përmirësuar legjislacionin dhe mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve. Pra, është përgjegjësia e tyre që të garantojnë që kjo të reflektohet si në proçesin zgjedhor ashtu edhe në rezultatin zgjedhor.

Unë nuk jam në pozicionin për t’ju thënë zyrtarisht nëse zgjedhjet do të jenë apo jo një kusht. Por mund t’ju them me 100% siguri se proçesi i zgjedhjeve, zhvillimi i zgjedhjeve, përfshirë proçeset pas-zgjedhore, siç është numërimi i votave, do të kenë një impakt shumë të rëndësishëm për aspiratat europiane të vendit tuaj. Kjo është e sigurtë”.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.