Zbulohen shkelje 2 milionë euro te njësia në varësi të Berishës

Pak ditë pasi Kuvendi miratoi shkrirjen e Avokatit të Prokurimeve, njësi e pavarur për trajtimin e ankesave në tenderë, vjen raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi strukturën zëvendësuese të saj: Komisionin e Prokurimit Publik. Duke kontrolluar mënyrën sesi Ministria e Brendshme i realizonte tenderët, KLSH-ja zbuloi shkelje me pasoja të rënda financiare që Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP) i ka shkaktuar buxhetit, pas shpalljes si fitues të disa firmave private, në mënyrë të padrejtë. Kjo strukturë varet direkt nga Kryeministri Berisha dhe funksionon prej dy vitesh. Auditimi është kryer gjatë muajve të kësaj vere, duke pasur në fokus të gjithë dokumentacionin e realizimit të prokurimeve nga 1 janari 2011 deri në gusht 2012.
Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara (DPZHPP) në Ministrinë e Brendshme me cilësinë Autoriteti Kontraktor, në disa procedura prokurimi ka kualifikuar në përputhje me rregullat e prokurimit disa operatorë ekonomikë, të cilët kanë paraqitur ofertat e tyre në vlera më të vogla sesa operatorët e tjerë pjesëmarrës. Disa operatorë të tjerë pjesëmarrës në tender të interesuar për të dalë fitues, kanë paraqitur ankim administrativ pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) për këto procedura.
Sipas KLSH-së, këtu nis procesi tjetër, i shpalljes së fituesve në mënyrë të padrejtë. Nga vlerësimi i dokumentacionit të shqyrtimit administrativ të këtyre ankesave të marra nga Ministria e Brendshme dhe sistemi elektronik i prokurimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezultoi se, KPP-ja ka vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, sepse ka skualifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit operatorët ekonomikë, të cilët kanë paraqitur ofertat në vlera më të ulëta.
Për pasojë, në zbatim të këtyre vendimeve të KPP-së, të cilat sipas pikës 2, neni 19/1, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, janë administrativisht përfundimtare; Autoritetet Kontraktore, Reparti Ushtarak nr. 1030, Poshnjë dhe Reparti Ushtarak 1001, Zall-Herr, mbi këtë bazë kanë lidhur kontratat me operatorët ankimues (fitues sipas vendimeve të KPP-së), duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 225.6 milionë lekë, respektivisht, 163.8 milionë lekë në procedurën e prokurimit për “Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit (katering) për Repartin Ushtarak 1030, Poshnjë” dhe 61.8 milionë lekë në procedurën e prokurimit për “Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjen e ushqimit për Repartin Ushtarak 1001, Zall-Herr”.
Për sa më sipër, KLSH-ja ka depozituar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të figurës së veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, neni 248 të Kodit Penal të RSH për kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik, z. E.S. dhe 3 anëtarë të këtij komisioni.
Ky raport është një goditje e rëndë për Komisionin e Prokurimit Publik, e cila pak ditë më parë u cilësua nga mazhoranca si njësi serioze dhe kompetente për trajtimin e ankesave, në kuadër të shqyrtimit të projektligjit që propozonte shkrirjen e Avokatit të Prokurimeve.
Vendimi
Komisioni zëvendëson Avokatin e Prokurimeve
Pas katër vjetësh funksionimi, qeveria propozoi dhe më pas Kuvendi miratoi këtë javë shkrirjen e Avokatit të Prokurimeve, strukturë e pavarur, e ngritur me ndihmën e amerikanëve të USAID-it, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. AvP trajtonte mesatarisht 600-700 ankesa në vit dhe ishte një oponente e qeverisë mbi vendimet e saj për shpalljen e fituesve në tenderë. Roli i saj ishte monitorues, hetues dhe rekomandues, ku në jo pak raste kundërshtonte vendimet e ministrive për mënyrën sesi i trajtonte procedurat e tenderëve me vlera disa miliardë lekë. Me shkrirjen e AvP, funksionet e tij do t’i kryejë Komisioni i Prokurimeve.
Ard Kola, Shqip
Add new comment