Pakësohen shanset për ndërtimin e gazsjellësit TransAdriatik

Shanset për ndërtimin e gazsjellësit TransAdriatik, TAP, i cili nëse do të ndërtohet, mund të sjellë gaz natyror në Shqipëri dhe t’i japë vendit tonë një pozicion gjeopolitik të rëndësishëm, u zvogëluan ndjeshëm gjatë javëve të fundit si pasojë e kundërshtive nga qeveritë e disa vendeve perëndimore, të cilat kanë vendosur si prioritet reduktimin e varësisë nga Rusia para kostove.
Së fundmi, EurActiv, portali që mbulon çështjet europiane, raportoi se konsorciumi Shah Deniz II, i cili duhet të përzgjedhë gazsjellësin që do të përdoret për transportimin e gazit nga Azerbajxhani për në Europë, ka vendosur të blejë 50 për qind të aksioneve në konsorciumin Nabucco, gjë që e rihap garën mes Nabucco-s dhe TAP. Kompania bullgare e energjisë deklaroi së fundmi se bisedimet kanë ecur përpara dhe se pas pak ditësh, Nabucco mund të miratojë pjesëmarrjen e Shah Deniz II në projektin për ndërtimin e këtij gazsjellësi që do të kalojë nga Bullgaria për në Serbi dhe Hungari në drejtim të Vienës, ku gjendet një nga qendrat më të mëdha europiane për shpërndarjen e gazit.
Nabucco është projekti i mbështetur zyrtarisht nga Bashkimi Europian, por vendet anëtare janë përçarë dhe disa prej tyre kanë vendosur të punojnë me alternativa të tjera. Ky është projekti konkurrues me TAP për të transportuar gazin e zonës Shah Deniz II në detin Kaspik, një vendburim relativisht i vogël gazi, por që është vendimtar, pasi është pranë fazës së fillimit të prodhimit. Nabucco është më i kushtueshëm se sa TAP, por interesat pas Nabucco-s vlerësohet se janë më të fuqishme.
SHQIP
Add new comment