Gjykata e Tiranës 30.000 lekë gjobë deputetit Taulant Balla

Postuar në 24 Prill, 2013 14:04

 

Gjykata Tiranë ka caktuar shumën 30.000 lekë gjobë ndaj deputetit të PS-së Taulant Balla pas akuzave në Kuvendin e Shqipërisë (tetor të vitit 2011) për korrupsion kundër Ministrit Genc Pollo për shpërdorim detyrë dhe abuzim me tenderat. Balla do të paguajë edhe shpenzimet e 17 seancave gjyqësore të zhvilluara gjithsej.

“Fjala e mbajtur nga i padituri Balla në Kuvend më 20 tetor 2011…mbart pavërtetësi dhe është pasqyruar si në mediat vizive ashtu edhe në ato shkruara. Në këtë konkluzion përfundimtar Gjykata arrin në bazë të arsyetimit si më poshtë vijon: Provohet në gjykim se, nga pikëpamja ligjore, fjala e të paditurit Balla në interpelancë për nga mënyra se si i është ofruar publikut përbën veprim të kundraligjshëm dhe të kryer me faj; veprim ky i cili çmohet nga kjo Gjykatë se ka dëmtuar imazhin e paditësit, duke i shkaktuar atij dëm konkret moral të shfaqur në drejtim të dëmtimit të nderit dhe të personalitetit të tij, si dhe një dëm të pësuar në sferën shoqërore; çka sipas Kodit Civil sjell përgjegjësi juridike civile për të paditurin Balla për shpërblimin e këtij dëmi. Më konkretisht Gjykata konkludon se në rastin konkret i padituri Taulant Balla ka konsumuar të katër elementët e kësaj përgjegjësie sikundër janë: kundërligjshmëria e veprimeve të shkaktuesit të dëmit; dëmi i shkaktuar; fajësia e shkaktuesit të dëmit; lidhja kauzale (shkak-pasojë) midis veprimeve të kundraligjshme të shkaktuesit të dëmit dhe pasojës së ardhur nga këto veprime. Gjykata verën se nga përmbajtja e fjalës së të paditurit Balla në interpelancë rezulton se shprehjet e përmbajtura në të nuk janë të vërteta,” thuhet në vendimin e Gjykatës. Deputeti Balla deklaroi se ky është një tjetër vendim që u gatua në aneksin e kuzhinës së kryeministrit Berisha. “Ashtu siç edhe e prisja, sot në Gjykatën e Tiranës u shpall një vendim tjetër i gatuar në aneksin e kuzhinës së Sali Berishës kundër opozitës. Gjyqtari nuk kishte si të jepte vendim tjetër, megjithëse edhe vetë e kuptoi gjatë seancave gjyqësore se gjithcka kam thënë është e vërtetë. Për ta kuptuar më thjeshtë të gjithë shqiptarët, unë sot u dënova me vendim gjykate sepse kam thënë: A janë carë apo nuk janë carë rrugët në cdo cep të Shqipërisë? A u ca rruga e Kombit për të shtrirë kabllin e fibrës optike? Pse u tërhoq Genc Pollo nga licensimi i këtij rrjeti që do t’i jepte buxhetit të shtetit 12 milionë euro? Pse nuk i lihet kohë Prokurorisë që të hetojë këtë rast korrupsioni? Shqiptarët do ta gjykojnë më 23 Qershor se kush ka të drejtë”, tha Balla.
Ndërkohë pas shpalljes së vendimit Ministri Pollo u shpreh: “Jam i kënaqur me verdiktin e Gjykatës që shpalli gënjeshtra dhe shpifje deklaratat e Ballës kundrejt meje, të tetorit 2011. Edhe pse dëmshpërbilimi i caktuar nga Gjykata ishte i ulët dhe prandaj jo dekurajues për shpifës të tjerë si Balla, ajo sasi parash do t’i kalojë Kryqit të Kuq Shqiptar.”

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.