Totozani: Ra një tjetër alarm, duhet afat për dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve.

Avokati i Popullit, Igli Totozani pas vizitës në komisariatin nr.1 ku takoi ish-të dënuarin Kujtim Gaziu, u shpreh se kjo kategori nuk duhet të ndërmarrë veprime të tilla që rrezikojnë jetën.
“Ishte një tjetër alarm. Erdhëm të dëgjonim këtë ish-të persekutuar për shqetësimet dhe problemet që ka. Gaziu bëri një gjest të dëshpëruar në kushtet e një varfërie të madhe, që prek më shumë të persekutuarit. Ne jemi pro protestave të qytetarëve, ku kërkojnë t’u dëgjohet zëri, por jemi kundër protestave ekstreme që i bëjnë keq vetes”, tha Totozani.
Duke i quajtur ish-të përndjekurit një grup që i dha dinjitet historisë sonë, Totozani kërkoi një trajtim më të mirë për ta, duke nisur që nga dëmshpërblimet.
“Ky grup kërkon një kujdes të veçantë duke filluar që nga dëmshpërblimet integrimi moral dhe social. Duhet vendosur afat tavan për dëmshpërblimin e tyre, duhet të ruajmë dinjitetin e tyre. Unë do këmbëngul që të mos arrijnë në greva urie sepse ekzistojnë të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje që të sigurojë riintegrimin moral dhe financiar të këtyre njerëzve. Unë do këmbëngul”, tha Totozani.
Add new comment