PS,Baraj:Thirrjet e PD për protestë, pasqyrim i krizës që po kalon.

“Thirrjet e PD për protestë janë pasqyrim i krizës që ajo është duke kaluar.”- kështu i ka cilësuar deputeti i PS, Besnik Baraj thirrjet e PD për protesta.
Në një deklaratë për mediat Baraj ka ironizuar thirrjet e PD për protestën ditës së premte sipas tij me metodën “Shpif shpif se diçka do të ngelet. Shpifja dhe balta kanë qenë dhe mbetet motoja e tyre.”-tha ai duke shtuar “Ndërsa lufta kundër krimit dhe korrupsionit është dhe do të mbetet motoja e secilit prej nesh.”
"Thirrjet e PD për protestë janë pasqyrim i krizës që ajo është duke kaluar
Bashkohuni në protestë kundër Shqipërisë që po rimëkëmbet pas një rrënimi të gjatë.
Protestoni kundër Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po e mbështesin qeverinë shqiptare në reformën e madhe të rikthimit të ekonomisë në rrugën e rritjes.
Protestoni kundër taksave që u ulen për 97% prej jush.
Protestoni për të gjitha bizneset e vogla te cilave iu hoq taksa e biznesit të vogël dhe iu ul tatimi i fitimit.
Protestoni për luftën që po i bëhet monopoleve, luftë e cila sigurisht i panikos jo pak pushtetarët e djeshëm që përfitonin nga këto monopole.
Protestoni për rezultatet e shkëlqyera në tatime e dogana të cilat po e luftojnë kontrabandën dhe evazionin fiskal si kurrë më parë.
Protestoni të gjithë, në krah të atyre që morën jetën e 26 shqiptarëve në Gërdec e që në 21 janar pushkatuan qytetarë të pafajshëm në mes të bulevardit.
Dilni të premten në krah të atyre që vit pas viti mbollën e tregtuan drogë, e që tani janë të frikësuar nga lufta që kjo qeveri i ka shpallur drogës dhe trafikut.
Të premten, mos i lini vetëm punonjësit e Bashkisë së Tiranës e ndonjë bashkie tjetër të djathtë. Mos i lini vetëm punëtoret e pastrim gjelbërimit, të çilet pavarësisht se paguhen nga taksat tona për tjetër punë, nxirren me zor për të mbushur sheshe, njësoj siç nxirreshin më parë nxënësit nga shkollat.
Të dashur shqiptarë, ju tashmë e keni kuptuar moton e opozitës: Shpif shpif se diçka do të ngelet. Shpifja dhe balta kanë qenë dhe mbetet motoja e tyre.
Ndërsa lufta kundër krimit dhe korrupsionit është dhe do të mbetet motoja e secilit prej nesh."
Add new comment