Emëtohet pulla postare me tematikë Kampionatin Botëror “Brazil 2014”

Posta Shqiptare ka emetuar pullën postare për vitin 2014 me tematikë Kampionatin Botëror të Futbollit “Brazil 2014″. Pulla është e përbërë nga disa elementë, në përshtatje me kërkesat e FIFA-s, dhe e ndërthurur edhe nga ana kompozicionale e figurave të përdorura në bocetin e pullave.
Emisioni përbëhet nga një seri me 3 pamje dhe një bllok. Autori i kompozimit të pullës është piktori Bertrand Shijaku. Vlera e serisë është 10 lekë, 50 lekë dhe 100 lekë, ndërsa vlera e bllokut është 140 lekë.
Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Ardit Çela, deklaroi se, “Posta Shqiptare ka eskluzivitetin e emetimit dhe prodhimit të pullës postare shqiptare. Nëpërmjet pullës postare shqiptare pasqyrohen ngjarje të rëndësishme historike, kulturore, sportive, etj, të vendit tonë dhe ato ndërkombëtare. Një tematikë e veçantë në emisionet e çdo viti ka qenë edhe tematika e sporteve, tematikë e cila është edhe mjaft interesante për koleksionuesit e pullave postare brenda dhe jashtë vendit. Për vetë rëndësinë e këtij aktiviteti botëror sportiv, për vitin 2014 në emisionet e pullave postare është dhe emisioni me tematikë “Kampionati Botëror i futbollit Brazil 2014”.
Çela theksoi se, “nga informacioni i marrë nga sporteli i shitjeve filatelike në zyrën qendrore Tiranë, ky emision ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të filatelistëve të cilët koleksionojnë pullat postare, por dhe të mjaft të rinjve sportdashës. Shitjet vazhdojnë, por ndërkohë ky emetim i ri është publikuar edhe në ëebin e Postës Shqiptare. Sigurisht, edhe nga filatelistët e huaj do të ketë kërkesa për këtë emision, për t’i shtuar koleksionit të tyre edhe emisionin e Kampionatit Botëror të emetuar nga Posta Shqiptare”.
Përcjellja e këtij aktiviteti të rëndësishëm sportiv botëror u realizua në të gjitha administratat postare në të gjithë botën, nëpërmjet emetimit të një emisioni të veçantë me tematikë Kampionati Botëror i futbollit.
Edhe Posta Shqiptare, në tematikat e emisionit të pullave postare të vitit 2014, një emision të veçantë i ka kushtuar këtij kampionati. Kupa e Botës është një ngjarja e rëndësishme në botën e futbollit, ku ndeshen skuadrat më të mira të 5 kontinenteve.
Kampionati i këtij vitit është i 20-ti dhe po zhvillohet në Brazil. Në të marrin pjesë 32 ekipe kombëtare. Maskota e këtij kampionati quhet Fuleco. Kjo specie përfaqëson gjelbërimin dhe ujërat e Amazonës.
Add new comment