Rektorati i Mjekësisë rikonfirmon pezullimin e Hysës:Iu gjetën shkelje.

Postuar në 13 Korrik, 2014 08:58

Rektorati i Universitetit të Mjekësisë përmes një deklarate për mediat sqaron shkaqet e vërteta të pezullimit të dekanit Bajram Hysa, duke hedhur poshtë pretendimet e Dekanit Hysa për tendera ilaçesh. Sipas Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë pezullimi i tij ka ardhur pas shkeljeve që janë konstatuar nga auditimi i KLSH.

“Pretendimet e dekanit të pezulluar të Fakultetit të Mjekësisë në lidhje me tendera ilaçesh, emërime shefash, etj. janë të pavërteta, të pabaza dhe nuk kanë asnjë lidhje me Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Ato synojnë të disinformojnë opinionin publik në lidhje me shkaqet e vërteta të pezullimit që janë abuzimet e rënda administrative dhe financiare.”- thuhet në deklaratën zyrtare të Rektoratit i Universitetit të Mjekësisë.

Në deklaratë thuhet se KLSH në tetor 2013 ka konstatuar shkelje të rënda nga Dekani Bajram Hysa.  Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Fakultetin e Mjekësisë janë konstatuar shkelje të rënda të disiplinës financiare me dëm ekonomik të llogaritur në shumën e 1.990.900 lekëve. Ndërsa në auditin e dytë me urdhër të Jera Krujës më 21 janar 2014, u zbulua se dëmi ishte në shifrat e 55.365.479 lekë.

Rektorati i Universitetit të Mjekësisë bën me dije se pas marrjes së raportit është vendosur pezullimin nga detyra të Dekanit Hysa. Gjithashtu bëhet e ditur se janë marrë masa për anëtarë të stafit administrativ.

Deklarata e plotë e Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë

Nisur nga daljet e njëpasnjëshme në media të dekanit  Bajram Hysa, që kanë si qëllim disinformimin e opinionit publik për shkaqet e vërteta të pezullimit të tij, sqarojmë sa më poshtë:
Më datë 08.10.2013, në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë është depozituar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe Rekomandimet nga institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Nga auditimi i kryer janë konstatuar mangësi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Bazuar në nenin 9 dhe 16 të Ligjit Nr.8270, datë  23.12.1997, i ndryshuar në Ligjin Nr.8599, datë 01.06.2000 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, janë dërguar rekomandimet si dhe janë kërkuar zbatimi i tyre nga ana e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (UMT), si institucioni bazë nga i cili varet Fakulteti i Mjekësisë.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konstatuar në Fakultetin e Mjekësisë shkelje të rënda të disiplinës financiare me dëm ekonomik të llogaritur në shumën 1.990.900 lekë, dëm ky i shkaktuar nga Dekani i tij, Z. Bajram Hysa me detyrim kthimin e menjëhershëm ndaj buxhetit të institucionit.
 
Bazuar në këto konstatime serioze mbi abuzimet e kryera në Fakultetin e Mjekësisë, rektorja e mëparshme e Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Prof. Jera Kruja, në datën 29 janar 2014,  urdhëroi auditimin e Fakultetit të Mjekësisë. Rezultatet dhe rekomandimet e këtij auditi janë raportuar në datë 30.06.2014, duke konstatuar shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik, rekrutimet e personelit në tejkalim të kompetencave, moszbatim i urdhrave të nxjerra nga titullari, etj. Të gjitha këto parregullsi dhe jo vetëm, vërtetojnë se Dekani Hysa, jo vetëm nuk i ka respektuar aktet ligjore dhe nënligjore, por i ka shpërfillur ato duke kryer shkelje të rënda të ligjit dhe duke shkaktuar dëme të pariparueshme administrative dhe financiare të reflektuara në dëmin ekonomik prej të paktën 55.365.479 lekë.
Bazuar në këto konstatime, Rektori i Universitetit të Mjekësisë Prof. Ali Refatllari, mbështetur në legjislacionin në fuqi, vendosi pezullimin nga detyra të Dekanit, Prof. Bajram Hysa, si dhe i  ka propozuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shkarkimin e tij. Në urdhrin e pezullimit përshkruhet me hollësi baza ligjore e këtij vendimi. Njëkohësisht janë marrë dhe një numër masash të tjera për anëtarë të stafit administrativ të Fakultetit të Mjekësisë. Të dhënat e botuara në media të ndryshme janë një pjesë fare e vogël e raportit final të grupit auditues që ka konstatuar shkelje të rënda administrative dhe financiare.
Pretendimet e dekanit të pezulluar të Fakultetit të Mjekësisë në lidhje me tendera ilaçesh, emërime shefash, etj. janë të pavërteta, të pabaza dhe nuk kanë asnjë lidhje me Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Ato synojnë të disinformojnë opinionin publik në lidhje me shkaqet e vërteta të pezullimit që janë abuzimet e rënda administrative dhe financiare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.