Si do jetë sheshi “Nënë Tereza” Basha publikon foto të reja.

Ndërkohë që pak ditë na ndajnë nga vizita e Papa Franceskut në vendin tonë, punimet për t’i dhënë një “fytyrë të re” sheshit “Nënë Tereza” në kryeqytet po vijojnë me ritme të larta. E ndërsa të gjithë bëhemi kuriozë sesi do të jetë pamja e re e këtij sheshi pas realizimit të plotë të punimeve, kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha sjell disa foto të projektit. Nga sa duket në foto, ky shesh nuk do të jetë më i ngarkuar nga trafiku, por do të shërbejë si një shesh pedonal për qytetarët, ku nuk do të mungojë gjelbërimi.
Sipas Bashës, projekti për rehabilimin e sheshit “Nënë Tereza” është miratuar miratuar në shtator të vitit 2013 dhe tashmë ka nisur zbatimin. Pasi ka inspektuar punimet, kreu i Bashkisë së Tiranës tha ky shesh “do t'i rikthehet qytetit dhe qytetarëve si një hapësirë jo vetëm historike, por edhe publike e urbane, edhe zbavitëse dhe pushimi”.
Basha thotë se tashmë punimet për rehabilitimin e sheshit janë intensifikuar me rastin e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri, por shton se puna do të vijojë edhe pas kësaj vizite.
“Menjëherë pas kësaj vizite puna do të vazhdojë me ritme të larta për ta kthyer sheshin "Nënë Tereza" në një nga pikat më të frekuentuara, më çlodhëse, me një identitet të rigjetur, modern dhe europian, për qytetarët e Tiranës, për kryeqytetasit dhe për të gjithë shqiptarët. Në përfundim të punimeve do të bëhet e mundur që ky shesh të mundësojë përsëri rolin që ka aktualisht si një “valvul” jo e parëndësishme e trafikut, por kryesisht të kthehet në një shesh pedonal, për qytetarët, për familjarët, për fëmijët, një shesh çlodhjeje”, tha Basha.
Add new comment