Shkeljet në BSH, ja evidentimet nga auditi i plotë i KLSH.

Postuar në 12 Shtator, 2014 13:37

Raporti përfundimtar i Auditimit të KLSH të Ushtruar në Bankën e Shqipërisë për periudhën 01.01.2012 - 31.12.2012, nxjerr në pah shkeljet e konstatuara në këtë institucion. Në shkresën dërguar në atë kohë Guvernatorit të BSH, kërkohej edhe zbatimi i disa masave, si dhe përfshiheshin propozime për ndryshime apo përmirësime të legjislacionit të BSH.
 
Ndërkaq duke u ndalur tek prokurimet, BSH i kërkohej që në rregulloren e këtij institucioni të “përcaktohen qartë kriteret dhe rregulla të qarta për arkivimin e dokumenteve që shoqërojnë zbatimin e kontratës si: procesverbalet, skicat,akt verifikimet, akt-kontrollet dhe dokumente të tjera të përcaktuara në kontratë”.
 
Autidi i KLSH evidenton edhe shkeljet e bëra me rikonstruksionin e tre godinave të BSH, duke theksuar se “janë tejkaluar afatet e përfundimit të punimeve. Gjithashtu ka rezultuar se, pavarësisht identifikimit të arsyeve objektive ose jo të mosrealizimit të kontratave brenda afateve, jo për çdo kontratë janë bërë ndryshimet e tyre për pjesën e shtyrjes së afateve me miratimet sipas kompetencave”.
 
Për të zgjidhur situatën e krijuar, BSH i është kërkuar si më poshtë:
“a. Për të gjitha rastet e identifikuara të kontratave të papërfunduara dhe me tejkalim të afateve, të analizohen shkaqet, të përcaktohen dhe kontabilizohen penalitetet që duhet t’i kërkohen sipërmarrësit për mosrealizim të punimeve në kohë, apo ndërprerje që vonojnë realizimin e veprës.
b. Duhet të vlerësohet kostoja oportune e pagesave të qirasë të cilat vazhdojnë të paguhen nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që për kohën e shtyrjes së kontratave, kjo kosto duhet t’i ngarkohet sipërmarrësit që nuk ka realizuar në kohë projektin, ose në se janë fajtorë persona brenda BSH-së të përcaktohen këto përgjegjësi, që efekti të mos rëndojë në rezultatin e Bankës.
c. Për rastet e justifikuara të hartohet dokumentacioni përkatës dhe të miratohen afatet për periudhat në vazhdim, duke vënë para përgjegjësisë palët kontraktore për realizimin plotësisht të kontratave të lidhura në cilësinë e kërkuar dhe kohën e përcaktuar”.
 
Në raport theksohet se kontratat e lidhura me operatorë ekonomik të huaj, duhet të paraqiten në gjuhë të huaj, dhe në gjuhë zyrtare.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.