Shkonin për të vrarë një të ri, bien në pranga 7 mirditorë

Prej dy javësh ishin vënë në vëzhgim dhe përgjim me metoda seciale nga policia pasi ishin duke përgatitur një krim. Shtatë mirditorë janë arrestuar mbrëmjen e dy ditëve më parë nga forcat speciale, pasi nga hetimi i sektorit të Krimeve të Rënda, ishin marrë të gjitha informacione se, ata i ishin vënë pas dhe do të vrisnin të riun, Roan P., nga Lezha. E gjitha ngjarja, si fillesë të saj kishte një shkak banal, një sherr të ndodhur në një lokal. Marian Radaçi, 38 vjeç, Alfred Marku, 33 vjeç, Artan Sulejmani, 40 vjeç, Arli Ndrejaj, 24 vjeç, Darjel Cara, 22 vjeç, Arvin Dodaj, 29 vjeç dhe Ernest Ndoja, 28 vjeç janë personat e arrestuar nga policia në rrugën Laç-Lezhë në kohën kur ishin duke shkuar për të kryer krimin e paramenduar. Gjatë aksionit atyre u janë kapur edhe një arsenal me armë të ndryshme.
Operacioni specialeve
Pas dy javësh vëzhgime dhe përgjime, Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dhënë urdhërin për nisjen e operacionit. Forcat speciale dhe efektivët e Krimeve të rënda në bashkëpunim edhe me Policinë e Lezhës, kanë organizuar pritën dhe në rrugën nga Laçi për në Milot kanë ndaluar mjetet me të cilën po udhëtonin 7 personat e dyshuar. Marian Radaçi, Alfred Marku, Artan Sulejmani, Arli Ndrejaj, Darjel Cara, Arvin Dodaj, dhe Ernest Ndoja, ishin nisur në drejtim të Lezhës për të vrarë Roan P., nga fshati Pllanë. Në mjetet e tyre u janë gjetur edhe disa armë.
Add new comment