“Anakonda 14″/ Ministrja Kodheli ndjek në Poloni stërvitjen me 12 500 trupa nga shumë shtete aleate

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndoqi nga afër stërvitjen “Anakonda 14”, ku ishin të angazhuara 12 500 trupa nga shumë shtete aleate. Kodheli ndodhet në Poloni në një vizitë zyrtare dyditore me ftesë të zv.kryeministrit njëherësh ministër i Mbrojtjes i Polonisë, Tomasz Siemoniak. Gjatë kësaj vizite, ku Kodheli u prit në një takim nga ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Tomasz Siemoniak ajo falenderoi homologun e saj për mbështetjen e Polonisë në integrimin e Shqipërisë në NATO dhe aspiratën për anëtarësim në BE. Kodheli vlerësoi gjithashtu ndihmën e dhënë dhe njohjen nga Polonia të shtetit të ri të Kosovës, si dhe për integrimin e rajonit të Ballkanit. Në këtë kontekst, ministri polak i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak, vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Të dy ministrat shprehën nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve midis Forcave të Armatosura të të dy vendeve tona. Ata u ndalën gjithashtu edhe tek diskutimi i zhvillimeve të fundit gjeopolitike, si kriza në Ukrainë, zhvillimet në Irak e Siri dhe misioni "Post Isaf" në Afganistan. Të dy ministrat e Mbrojtjes ranë dakort për nënshkrimin e një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Ministri polak Tomasz Siemoniak pranoi ftesën e bërë nga ministrja e Mbrojtjes Kodheli për të vizituar Tiranën. Gjatë qëndrimit të saj në Varshavë, ministrja Kodheli vuri një kurorë tek Monumenti i Ushtarit të Panjohur në nderim të të rënëve. Ndërsa në ditën e parë të vizitës, Kodheli ndoqi nga afër stërvitjen “Anakonda 14”, ku ishin të angazhuara 12 500 trupa nga shumë shtete aleate. Vizita e ministres Kodheli bëhet në kuadër të një turi takimesh që ajo po bën në kufijtë lindore të Aleancës.
L.V
Add new comment