Ndahet nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori Fadil Kujovska
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/6680_kl_2.jpg?itok=aoc2WSBv)
Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori i njohur Fadil Kujovska, i njohur më së shumti për rolin e Cukut në filmin “Dy herë mat”. Aktori prej 2 vitesh vuante nga një sëmundje e pashërueshme, ndërsa ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në banesën e tij në kryeqytet.
Fadil Kujovska do të përcillet në banesën e fundit ditën e sotme në orën 14:30, por pa një ceremoni shtetërore, pasi ky ka qenë edhe amaneti i tij.
Jeta dhe rolet e aktorit Fadil Kujovska
Fadil Kujovska ka lindur më (14 shkurt 1951) në Tiranë aktor i mirënjohur shqiptar. Kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1974 filloi punë në Televizionin Shqiptar, më pas më 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujovska u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative. Më 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjikë Kurtiqit "Miq të paftuar", nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut "Ushtari i mirë Shvejk". Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit.
Po në 1978 interpretoi rolin e Hoxhë Qitapit në dramën "Besa e Madhe" të M. Markajt. Një vit më pas luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun në dramën "Furrnalta" të R. Pulahës, me të cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi të dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës dhe sensin humoristik. Më 1982 i dha jetë njërit prej roleve të tij më të goditur, atij të Ser Tobit në komedinë "Nata e dymbëdhjetë" e Shekspirit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas “viktimat” e rangjeve të tij.
Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë "Pas Vdekjes" të A. Z. Cajupit (1984) ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetëruese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse, një të folur prej megalomania që e diskreditonte paq krenarinë e tij “pseudo”-je. Origjinal dhe i veçantë ka qenë edhe në interpretimin e rolit të Poçarit në dramën "Monsetrati" të Roblesë (1985), atë të prefektit Vehip në komedinë "Karnavalet e Korçës" të S. Comores nga Teatri Kombetar (2003).
Fadil Kujovska luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar edhe në filma artistikë si dhe në disa filma televizivë.
Filumena Marturano - (2009) teatër
Trapi i vjeter - (2005)
Parullat - (2001).......Pashku
Borxhliu - (1998)
Kolonel Bunker -(1998)
Pak freskët sonte - (1994)...kinezi
Nata e dymbëdhjetë - teatër-komedi
Historiani dhe kameleonët - (1989)
Shkëlqimi i përkohëshëm - (1988)
Tela për violinë - (1987)
Dy herë mat - (1986).....Cuku
Kush vdes në këmbë-(1984)
Duaje emrin tënd-(1984)..............llogaritari
Dasma e shtyrë - (1984)
Dita e parë e emrimit - (1981)........Shoferi
Agimet e stinës së madhe - (1981).....Mehill Bani, tekniku i ures .
Add new comment