Kakavijë, sekuestrohen cigare dhe goma të përdorura kontrabandë.
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/6610_cache-210-166-strict-143613.jpg?itok=a89iyF8a)
Dy raste të kontrabandës së mallrave në doganë, të cigareve dhe gomave të përdorura, janë goditur ditën e sotme në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në një kontroll të ushtruar nga doganierët e pikës së hyrjes në autobusin me targa ZMK 5187 të shoqërisë “Joana Travel”, u gjetën dhe më pas sekuestruan 108 steka me cigare të markës “Marlboro”. Ky mall po tentohej të futej kontrabandë në territorin shqiptar, i padeklaruar më parë në doganë, ndërsa vlera e mallit të sekuestruar arrin në 11.550 euro.
Po ditën e sotme, në një tjetër kontroll të ushtruar në kamionin tip “Mercedez-Benz” me targa AA 389 AX, i cili transportonte sende personale, u gjetën 90 goma automjetesh të përdorura të padeklaruara nga ana e shoferit në doganë.
“Gomat e përdorura janë të ndaluara me ligj të hyjnë në territorin shqiptar. Ato janë sekuestruar nga ana e autoriteteve doganore të Kakavijës ndërsa subjekti përkatës që po i transportonte ato në drejtim të Shqipërisë është penalizuar”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Ndërkaq, për mallin e sekuestruar nga ana e autoriteteve doganore, kanë filluar edhe procedurat operative.
Add new comment