Itali, Panariti firmos marrëveshjen "FAO do të hapë zyrë në Tiranë"
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/1552_cache-210-166-strict-113275_5.jpg?itok=PvsS0SL0)
Ministria e Bujqësisë ka nënshkruar marrëveshje me Organizatën për Bujqësi dhe Ushqim (FAO), çka bën të mundur hapjen e zyrës së përfaqësisë së kësaj organizate në Tiranë.
Marrëveshja u nënshkrua në Romë nga Ministri Edmond Panariti dhe Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Jose Graziano Da Silva, gjatë vizitës që Panariti, zhvilloi në selinë qendore të Organizatës për Bujqësi dhe Ushqim (FAO)
Në fjalën e tij, Ministri Panariti u shpreh se ceremonia e firmosjes ishte konfirmimi i mbështetjes se plotë qe qeveria shqiptare në vijmësi i ka dhënë organizatës FAO në Shqipëri. Ministri vlerësoi prezencën e FAO-s në vendin tonë si dhe ndihmën që ajo i ofron Ministrisë së Bujqësisë për rritjen e standardeve dhe për zhvillimin e bujqësisë.
“Sfida jonë e radhës, është që këtë zyrë ta fuqizojmë, në mënyrë që ajo të luajë një rol jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.” tha Panariti
Ndërsa nga ana e tij, Da Silva, u shpreh se vendimi brenda organizatës së FAO-s për të pasur përfaqësinë e saj permanente në Shqipëri u mor duke pasur bindjen se zyra do të bëjë të mundur rritjen e mbështetjes aktuale dhe asistencës teknike që FAO i jep Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Hapja e kësaj zyre bëhet në momentin e duhur, pasi Shqipëria sapo ka marrë statusin e vendit kandidat. FAO do të jetë tashmë në Shqipëri për ta ndihmuar vendin dhe në veçanti Ministrinë e Bujqësisë në hapat e mëtejshëm që ajo do të ndërmarrë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Jose Graziano Da Silva.
Gjatë takimit, Ministri Panariti ftoi Da Silvan të jetë i pranishëm personalisht në Tiranë në një të ardhme të afërt për të inauguruar hapjen e zyrës, ftesë të cilën Da Silva e pranoi me kënaqësi.
Add new comment