102-vjetori i krijimit të FA, Bazo "Vijojmë krenarë krah NATO-s"
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/8860_cache-210-150-strict-115195_3.jpg?itok=8RVfls_B)
Gjeneral Majori i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Jeronim Bazo përmes një letre të dërguar ka uruar FA me rastin e 102 vjetorit të krijimit të saj.
Në letrën e dërguar, Bazo shpreh mirënjohjen dhe vlerëson sakrificat e bëra ndër vite nga trupat e Forcave të Armatosura brenda dhe jashtë vendit. Duke e cilësuar si shumë të rëndësishme sakrificën dhe djersën e derdhur nga brezat paraardhës të shqiptarëve që u bënë pjesë e FA, Bazo thekson se pa këtë kontribut, shteti shqiptar nuk do të ekzistonte.
Në këtë drejtim, Bazo thekson se FA duhet të jenë krenare me gjithçka kanë bërë dhe kanë arritur, ndërsa shton se do të jenë gjithnjë krah vendeve aleate të NATO-s.
Më poshtë mesazhi i plotë i dërguar nga Gjeneral Major Jeronim Bazo:
"Të dashur ushtarë, nënoficerë, oficerë dhe civilë, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë! Pak dite me pare te gjithe së bashku festuam 102 vjetorin e pavarësisë dhe 70 vjetorin e clirimit të vendit. Ceremonia ushtarake e organizuar në Garnizonin “Skënderbej”, falë edhe performancës tuaj të shkëlqyer ja shtoi bukurinë dhe emocionet festave të nëntorit. Gjej rastin t’ju përgëzoj e falenderoj për gjithçka bëtë e treguat atë ditë. Por sot, përmes këtij mesazhi dëshiroj të përcjell tek ju dhe të ndaj me ju gëzimin e festimit të 102 vjetorit të krijimit të Forcave tona të Armatosura, forcave ku breza e gjenerata para nesh dhe ne sot kanë shërbyer e shërbejnë me devocion e përkushtim.
Jemi me fat që në 4 Dhjetorin e 1912-ë, Plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali dhe baballarët e kombit bashkë me të, akoma pa u tharë mirë boja në deklaratën e
pavarësisë, menduan e sollën në jetë Forcat e Armatosura si bashkëudhëtare e mbrojtëse të shtetit të porsalindur shqiptar. Në këtë ngjarje historike, të tejmbushur me momente krenarie, ne përulemi dhe kujtojmë me respekt e mirënjohje sakrificat dhe përkushtimin e të gjithë ushtarakëve që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura të RSH. Pa këto sakrifica, përkushtimin, djersën dhe gjakun e derdhur nga bijtë e bijat e kombit, pjesëtarë të FARSH, këto të fundit dhe vetë shteti shqiptar nuk do të ekzistonte. Natyrisht, nderimi ynë sot, është edhe për ata pararendës të FARSH, të cilët me përpjekjet e tyre realizuan pavarësinë dhe bënë të mundur krijimin e ushtrisë shqiptare.
Sot kemi arsye të jemi krenarë, jo vetëm për faktin që krenaria është pjesë e jona e të qenit ushtarak, por edhe për çfarë kemi arritur të gjithë së bashku. E kemi demonstruar një gjë të tillë në angazhimin tonë të përditshëm aty ku komuniteti ka pasur nevojë për ndihmën tonë dhe më shumë akoma me përkushtimin deri në vetëmohim përkrah aleatëve tanë në NATO atje ku botës i është rrezikuar paqja .
Forcat tona të Armatosura, profesioniste në cilësi dhe virtyte, të ndodhura në një proces të vazhdueshëm transformimi, vijojnë të forcohen nga dita në ditë. Synimi kryesor i lidershipit politik dhe ushtarak është që nëpërmjet modernizimit t’i bëjë FARSH sa më të ndërveprueshme me forcat e armatosura të vendeve aleate. Përpjekjet me përkushtim të të gjithë pjesëtarëve të FARSH, do t’a lehtësojnë rrugën e vijueshme të transformimit dhe do t’i shërbejnë mbajtjes lart e krenar të flamurit shqiptar, dinjitoz, përkrah atyre aleatë. Si përfundim, me rastin e 102-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të RSH, dua t’ju përcjell urimet më të mira për ju dhe familjet tuaja. Shëndet e mbarësi në jetët tuaja! Suksese në misionin fisnik që kryeni!" shkruan Bazo në urimin e tij.
Add new comment