Terrorizmi, Nishani mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/4049_1421517469keshillisisgurise.jpg?itok=4d48Lx_H)
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka mbledhur pasditen e së shtunës Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar situatën e sigurisë në vend pas ngjarjeve me sfond terrorist të verifikuara më herët gjatë muajit në vendet evropiane.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit ka vënë në dukje se, aktivitetet e grupeve terroriste janë tashmë të globalizuara dhe për rrjedhojë çdo vend ndihet i rrezikuar.
“Shqipëria është ndeshur me fenomenin e luftëtarëve të huaj, ndaj dhe agjencitë ligjzbatuese në vend janë të angazhuara për të garantuar sigurinë në territorin shqiptar”, ka thënë Nishani.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka vlerësuar se Shqipëria është tërësisht e ekspozuar ndaj akteve terroriste.
Sipas tij, sulmet e javës së kaluar në Paris e kanë çuar sfidën ndaj terrorizmit në një nivel më të lartë, ndaj dhe qeveria ka marrë masat e nevojshme për të luftuar këtë fenomen.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë e ka cilësuar si të një nevoje absolute koordinimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve të sigurisë.
“Të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare të përfshihen në një program të përbashkët trajnimi. Të testohen të gjitha në një mekanizëm simulimi”, ka thënë ai.
Një tjetër element i rëndësishëm, ka shtuar Rama, është sensibilizimi i opinionit publik për rrezikun e terrorizmit, si dhe mbrojtja e institucioneve fetare të vendit, që janë dhe “ndër asetet më të çmuara”. / Top Channel
Add new comment