Fier, shpërthim gazi në Marinzë. Hapja e një pusi nafte vë në rrezik banorët
Një pus nafte i kompanisë ‘Bankers Petrolium’ ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në fshatin Marinzë të Fierit.
Shpërthimi i gazit, gjatë punimeve për shpimin e një pusi të ri në zonën naftëmbajtëse të Marinzës në Fier, krijoi panik te banorët e zonës.
Dy fontana gazi me një lartësi rreth 100 metra tmerruan banorët, të cilët janë larguar me shpejtësi nga shtëpitë e tyre. Shpërthimi i gazit ndodhi rreth orës 05.00, ndërsa në të gjithë zonën dhe rrugët e fshatit filloi të dalë ujë i përzier me argjil.
Në vendngjarje mbërritën uniformat blu, të cilët u përpoqën të evakuonin banorët e zonës. U raportua se nga shpërthimi i pusit të naftës nuk ka patur të lënduar.
Përfaqësuesit e kompanisë "Bankers" thanë se po hetojnë për shkaqet e këtij shpërthimi.
Përmes një njoftimi për shtyp, kompania “Bankers Petroleum” bëri të ditur se bëhet fjalë për një “rrjedhje të pakontrolluar gazi natyror, kur po kryheshin operacione shpimi”.
“Gazi që ka rrjedhur është gaz i ëmbël dhe i padëmshëm”, thuhej në njoftim.
/ Top Channel
Add new comment