Përfundon beton-restoranti i parë në plazhin e Pogradecit

Postuar në 08 Gusht, 2011 10:33

Deri para një viti, pogradecarët mund të mburreshin se, përgjatë plazhit të tyre, nuk ishte hedhur asnjë metër kub beton për të ngritur ndonjë restorant apo hotel si ato që janë ndërtuar me mijra në plazhe të tjera shqiptare. Për 20 vjet, bashkia e qytetit i rezistoi trysnisë së ndërtuesve, duke mos lejuar asnjë ndërtesë të përhershme në brezin 50-metërsh nga vija e liqenit, i cili, në një gjatësi pothuaj 2-kilometërshe, përfshin një plazh rëre, një shëtitore plazhi, një park me plot bar e pemë, dhe një bulevard të rrethuar nga të dy anët me trotuarë të vijuar me lule. Bar-kafe dhe restorante të vogla provizore janë lejuar të ngrihen vetëm gjatë verës, duke mos e prishur pamjen dhe qetësinë idilike të këtij ishulli europian në xhunglën e plazheve shqiptare.

Para një viti, aty ku dikur kishte qenë një lokal i vogël (ndërtuar që në kohën e diktaturës) u hodhën themelet e një restoranti të madh, i cili sot ka përfunduar. Me një arkitekturë moderne, që do të binte në sy në çdo zonë të zhvilluar urbane të globit, ky restorant qëndron si një çiban buzë rërës së plazhit dhe mes pemëve e luleve të shumta të parkut. Mirë që u lejua të ndërtohej restoranti, por pse nuk u detyrua ndërtuesi që t’ia përshtaste arkitekturën ambientit përreth (siç i përshtatet, për shembull, parkut të Drilonit “Vila Art”, e cila është e veshur me gurë dhe dru)? Fatmirësisht, beton-restoranti i ri ndodhet në skajin më lindor të parkut që hijeshon plazhin e Pogradecit...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.