Minatorët e dinë se ç’kërkojnë
Kushdo të krijojë një ide më të qartë lidhur me atë që po ndodh me minatorët e për minatorët në Bulqizë, s’do bënte keq të lexonte shkrimin e publikuar në numrin e sotëm të gazetës Shqip me titull “Luftë nervash mes sindikatës dhe kompanisë koncesionare”. Ka një klimë të tensionuar atje në terren, ky tension nuk është vetëm mes sindikalistëve dhe drejtuesve të kompanisë ACR, por edhe mes vetë sindikalistëve. Nuk është se ka ndonjë gjë serioze, apo konkrete, por është po ajo klimë dyshimi, sabotimi, tradhëtie, mbi të cilën nuk është e zorshme të ngresh keqkuptime e kontraste mes shqiptarëve.
Por më e rëndësishmja është diçka tjetër në këtë histori. Sindikalistët janë të qartë në kërkesat e tyre. Minatorët e futur në grevë urie, por dhe të tjerët që janë jashtë minierës në mbështetje të tyre, nuk duket se janë soji i punëmarrësve të painformuar, të gënjyer, të manipuluar e tuafë. Përkundrazi, e dinë mirë se ç’kërkojnë. Taf Koleci të ngjan me një sindikalist të shkathët, të regjur e plot ide, teksa hedh dritë mbi synimet që kanë: “Kërkesa jonë kryesore është që në minierë të ketë investime. Nëse nuk hapen puse në thellësi, miniera e ka jetën e shkurtër. Koncesionarët po shfrytëzojnë prej dhjetë vitesh atë pjesë minerali që gjendet lehtë”. Ndërsa disa minatorë këmbëngulin edhe tek kushtet e punës: “kompania ACR ka katër vjet që ka nisur ndërtimin e dusheve e të garderobës, por ende nuk kanë përfunduar”. Dhe pastaj, vjen kërkesa për rritjen e pagës. Sipas gazetarit Gjergj Erebara, minatorët po shfrytëzojnë në mënyrë inteligjente faktin, që kompania është e dënuar të negocjojë me ta, e t’u plotësojë kërkesat, pasi nuk ka ku të gjejë minatorë e specialistë të tjerë. “Kërkesat, nga ana tjetër, janë plotësisht të realizueshme”, të thonë me siguri e bindje ata.
E.G.
Add new comment