Dy “lajme” me postera

I pari. Kujt i ka rënë rruga nga qendra ‘Kristal’ (përveç banorëve të atyshëm, sigurisht), nuk ka mundur t’i ikë ballafaqimit me një poster gjigand të varur në fasadën e një pallati 6-7 katësh. Ka gati gjashtë muaj që ai poster rri aty, aq sa njerëzve ka filluar t’u ngjajë me një element të dekorit urbanistik. Me fjalë të tjera, nëse dikush do dojë ta heqë nesër, gjindjes do t’i duhet kohë të mësohet me atë mungesë. Është posteri i një vajze që quhet Eriza Xhixho, e cila ka qenë kandidate për postin e kryetares së njësisë bashkiake të asaj zone. Ajo e nuk e mori postin në emër të LSI-së, por ka fituar të drejtën për t’u mbirë në sy të gjithëve me një pozë, që do shkonte të rrinte varur sipër dyerve të ndonjë salloni të estetikës.
I dyti. Kush ka udhëtuar këto ditë në rrugën Tiranë-Durrës, e kthim, do të ketë mundur të vërë re në të dalë (hyrë) të kryeqytetit një poster, nga i cili lë të derdhet buzëqeshjen e vet karakteristike miliarderi amerikan që vepron në fushën imobiliare, Donald Trump. Kush nuk e njeh si biznesmen, mund ta njohë si personazh televiziv (janë një sërë filmash e serialesh, që kanë atë, bash atë, si personazh). As kështu nuk e njihni? Epo duhet të keni dëgjuar ndonjë “të fortë”, që lëshon herë pas here nga studiot radiofonike e televizive amerikane lidhur me çështje të debatit politik nga pozitat e një fajkoi republikan (së fundmi u fol se do të ish një kandidat në garën e pritshme presidenciale, por ca javë më parë ai vetë njoftoi tërheqjen). Në çdo rast, nëse keni qenë kureshtarë për të lexuar përmbatjen e posterit, do të keni marrë vesh se në datën 7 e 8 ai do të marrë pjesë në një Panair të Ndërtimit në Tiranë. Do të marrë pjesë në mënyrë televizive, duke përshëndetur live nga SHBA-të.
E.G.
Add new comment