Një Muze i Artit Socialist? Në Bullgari, po.

Postuar në 24 Gusht, 2011 13:13

Fotoja më sipër është një yll pesëcepësh nga ata që para viteve ’90 popullonin, të kuq e me shumicë, balle lapidarësh, faqe kodrash, kapele ushtarësh e deri te fletoret e detyrë-shtëpive të nxënësve. Një dhjetë me yll ishte shenjë e ekselencës sipërore. Një i tillë ka qenë edhe në majë të Piramidës të menduar fillimisht si mauzole e më vonë të futur në punë si muze për diktatorin Hoxha. Ky është njëri ndër simbolet e komunizmit që bashkë me shtatore e përmendore të tjera të asaj kohe, ose janë bërë skrap ose dergjen në magazina periferie në  pritje të një kohe kur kujtesa e shqiptarit të jetë shëruar dhe mendja të  jetë hapur. Atëkohë yjet bashkë me simbole të tjerë mund të gjenin vend në një Muze të Komunizmit. Një hap të tillë e ka mbështetur bashkia e Sofjes, kryeqytetit të Bullgarisë, ku është çelur, në mesqershor të këtij viti, Muzeu i Artit Socialist. Hapja e muzeut të artit në Sofje është bërë me qëllim simbolizimin e të kaluarës së dhimbshme totalitariste të Bullgarisë. Qindra piktura dhe statuja nga koha e komunizmit të mbuluara me pluhur ose të shkatërruara pritet që të restaurohen dhe të vendosen në “shtëpinë” e tyre të re. Pas projektit artistik (jo ideologjik!) qëndrojnë tre artistë bullgarë, një fotograf dhe dy arkitektë. Veprat e ekspozuara në Muze i përkasin periudhës 1944-1989 dhe theksi do të vihet te arti si i tillë dhe jo te konteksti politik apo historik. I quajtur për shkurt SocMuz aty do të ekspozohen shembuj të ndryshëm të grafikës socialiste bullgare, përfshirë edhe materiale të reklamës e propagandës. Pjesë teatrale, filma, postera politikë e propagandistikë mund të shihen në koleksionin e muzeut dhe njëkohësisht online në www.socmus.com

L.A.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.