Berisha: Withers-i ka bërë politikë personale
Kryeministri Berisha i ka bërë mbrëmë në studion e programit Opinion një sulm të paprecedent ish-ambasadorit Withers. “Ky zotëri” tha ai më se njëherë në adresë të ish-ambasadorit, por pa ia përmendur emrin. Dhe më poshtë i skualifikoi kabllogramet, ku flitet shumë keq për të e për familjen e tij, si bëma të një njeriu që kish probleme personale me të. Pse? Sepse Withers-i ka menduar, sipas Berishës, që vetë Berisha paska luajtur urat në Washington për ta kryqëzuar ambasadorin për shkak të lidhjeve të supozuara me tregëtinë e armëve. “Ky zotëri [Withersi pra], nëse merren kabllot para rënies së tij në hetim me kabllot pas rënies së tij në hetim [në Kongresin Amerikan], ato dallojnë si nata me ditën. Ai mendoi se e paditi qeveria jonë për çështjen e Patrik Henrit apo Diverolit. Ne nuk e kishim paditur.”, u shpreh Berisha.
“Sulmi i tij ka qenë tërësisht personal”, ka thënë ai në studiot e Klanit gjatë një interviste plot kontradikta e kundërthënie. “Nuk pranoj të komentoj lidhur me WikiLeaks-in; ta marrësh dhe ta bësh objekt debatesh WikiLeaks-in është si të futesh në një kazan thashethemesh”, thotë ai. E megjithatë, nuk heziton asnjë çikë, që bazuar bash në kabllogramet e WikiLeaks-it, të japë një intervistë të gjatë, e në këtë punë e sipër t’i bëjë një sulm të egër ish-ambasadorit amerikan John Withers, të cilin qartazi e ndan nga pasardhësi i tij Alexander Arvizu. Do të ketë reagim nga Ambasada Amerikane, vallë?
E.G.
Add new comment