Abuzimet seksuale, padi në Hagë për Papa Benediktin

Viktimat e abuzimeve seksuale nga klerikët e kishës katolike i kërkojnë Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve kundër Njerëzimit në Hagë që të hetojë Papa Penediktin dhe tre zyrtarë të lartë të Vatikanit me akuzën e lejimit të përdhunimit dhe abuzimit të fëmijëve. Lajmin e bën të ditur agjencia Reuters. Dy shoqata jo-qeveritare paditën Papën dhe zyrtarët katolikë për krime kundër njerëzimit sepse ata toleruan dhe mundësuan krime seksuale. Por, sipas Reuters-it, ka pak gjasa që Gjykata e Hagës ta marrë në shqyrtim një padi të tillë. Shumë prej krimeve, thekson agjencia, ndodhën para vitit 2002 kur Gjykata edhe u ngrit, gjë që i nxjerr ato jashtë sferës së saj. Gjithashtu Vatikani nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës në fjalë. “Do të jetë shumë e vështirë për të argumentuar se Kisha ishte një grup i organizuar që kreu krime kundër njerëzimit”, i tha Reuters-it Andred de Hoogh-ut, profesor i Ligjit Ndërkombëtar në Universitetin e Groningenit. Një zëdhënës i Vatikanit tha se nuk do të ketë ndonjë koment të menjëhershëm.
L.A
Add new comment