Skenaristi i ‘Falja e gjakut’: Letra kundër filmit si ajo kundër Kadaresë për Nobelin

‘Amnistia’, dhe jo ‘Falja e gjakut’, do ta përfaqësojë Shqipërinë në kategorinë e filmave të huaj në garë për një çmim Oskar. Anulimi i kandidaturës së parë, ‘Faljes së gjakut’, ka ardhur pas një letre që regjisori i filmit ‘Amnistia’ i ka dërguar komisionit seleksionues të çmimeve Oscar me pretendimin se ‘Falja’ nuk është film shqiptar. Letrën e Alimanit bashkëskenaristi shqiptar i filmit të skualifikuar, Andamion Murataj, e ka cilësuar si atë kundër Kadaresë në Akademinë Suedeze të çmimit Nobel. Megjithatë, përtej shqiptarëve që kërkojnë koka shqiptarësh, Murataj sheh një konspiracion më të madh, kësaj radhe të klaneve antishqiptare. Sipas tij, pse duhej skualifikuar ‘Falja e gjakut’ si film joshqiptar, kur Irlanda përfaqësohej me një film në serbo-kroatisht të xhiruar në Bosnjë. Ai përmend gjithashtu kandidaturën e Finlandës, që është një film në frëngjisht i xhiruar në Francë. Filmi Falja e Gjakut ka për regjisor amerikanin Joshua Marston, i cili është edhe skenarist i filmit bashkë me Andamion Muratajn. Të gjithë aktorët e filmit janë shqiptarë, përfshi këtu një pjesë të mirë të stafit. Gjuha e filmit është shqipja. Më saktë një variant i saj, gegnishtja.
H.B.
Add new comment