Gruevski në Gollobordë; censusi maqedonas ka dështuar, por ai shqiptar vazhdon

Postuar në 16 Tetor, 2011 11:42

Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski ka ndaluar sot, në një vizitë të papritur jozyrtare në Gollobordë, fshat në vijën kufitare ndërmjet Maqedonisë e Shqipërisë. Ndalesa e papritur e shefit të qeverisë maqedonase vlen të përmendet për dy arsye. E para, përkon me kohën kur në Shqipëri po kryhet censusi ose regjistrimi i popullsisë, pjesë e së cilës është edhe një komunitet i vogël maqedonas. E dyta, ka të bëjë gjithashtu me censusin, jo me atë shqiptar, por atë të organizuar nga autoritetet e Shkupit. Në fakt, censusi maqedonas ka dështuar dhe një prej arsyeve ka qenë edhe përplasja mes dy etnive më të mëdha në vend; maqedonasve e shqiptarëve. Maqedonasit e kanë quajtur si të jashtëligjshëm regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë si emigrantë në Perëndim, ndërsa pala shqiptare e ka kërkuar me forcë. Kjo kontradiktë ka çuar edhe në një deklaratë të fortë të Gruevskit i cili ka thënë se kryeministri paraardhës e ka shtuar me 120 mijë numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Gruevski e ndan qeverinë me partinë shqiptare të Ali Ahmetit, formacionin politik të dalë nga UÇK pas luftës në Maqedoni, Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).

H. B.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.