Tani po bëhen të gjallë për Erzenin; por jo qeveria

Ka disa vjet që denoncohet nga shtypi ajo që ndodh në lumin Erzen, ku çdo ditë ka pasur eskavatorë e ruspa të kompanive private që punojnë e nxjerrin zhavor pa pasur leje të shfrytëzimit të lumit. U tha para disa ditësh nga Top-channel-i, se ka një ndërprerje të kësaj masakre, dhe me sa duket dikush ka dhënë një urdhër. Kaq është dashur. Një urdhër. Nuk u mor vesh se nga erdhi e pse vonoi kaq shumë ky urdhër që, sipas dyshimeve të Top-channel-it, mund të jetë, prapëseprapë, me efekt të përkohshëm. Ashtu si nuk është marrë vesh pse askush nuk i ka dhënë përgjigje këtij shqetësimi publik. Kryeministri mund të gjente pak kohë për të bërë një koment të vetëm. Mjafton që në njw mbledhje të qeverisë të mos fliste njëherë për opozitën e të fliste për Erzenin.
Edhe të tjerëve nuk u falet. Ja, Presidenti foli vetëm dje. Dhe foli duke huazuar tonet dramatike të gazetarëve, e të veprimtarëve në mbrojtje të mjedisit: "Shohim vetëm 10 kilometra nga qendra e Tiranës që është një lumë, i cili po jep shpirt. E kam frekuentuar për shkak të bukurive natyrore, të mundësive që jep ky ekosistem për ta shfrytëzuar për ekoturizëm, [por tanimë është në mëshirë] të babëzisë së jashtëzakonshme, për t'i nxjerrë shtratin, për t'i marrë atë që s'duhet t'ia merrnin kurrë vetëm për qëllime perfitimi, për të shkatërruar urat, për të shkaktuar një erozion për tokat dhe për ta bërë jetën e banorëve në dy krahët e Erzenit.”
Sigurisht, më mirë vonë se kurrë. Por lind pyetja: pse vonë e jo herët?
Re.Pu.
Add new comment