Propozimi për taksën e sheshtë 9-9-9 po dështon

Postuar në 07 Nëntor, 2011 01:41

Në qendër të fushatës për kandidaturën presidenciale në Partinë Republikane të SHBA-së, Herman Cain-i ka vënë propozimin e tij për një taksë të sheshtë, që e ka quajtur “Taksa federale 9-9-9”. Ky ish-biznesmen zezak, pati një rritje meteorike në sondazhe pasi bëri propozimin e tij, por hasi në zjarrin e kundërshtarëve republikanë në 18 tetor, kur Qendra për Politikat Tatimore publikoi një studim që demonstronte se 84% të amerikanëve do t’u merreshin më shumë para nga qeveria federale me taksën 9-9-9.
Po ç’është taksa 9-9-9? Taksim 9% mbi pagat; taksim 9% mbi çmimin e shitjes të të gjithë produkteve e shërbimeve; 9% taksë mbi të ardhurën bruto të bizneseve (nga kjo e fundit zbriten kostot e inputeve të prodhuara brenda SHBA-së). Në këtë skemë taskimi, mbeten pa taksuar të ardhurat nga investimet në bursa dhe taksa e trashëgimit apo dhurimit të pasurisë, të cilat, aktualisht, i sjellin buxhetit federal rreth 15% të të ardhurave, ose 324 miliardë dollarë.
Pas goditjes që mori nga publikimi i studimit të Qendrës për Politikat Tatimore, Herman Cain-i e ka modifikuar propozimin e tij, duke e ulur në zero taksën për pagat e familjeve me të ardhura nën minimumin jetik zyrtar. Por ky modifikim ka ardhur me vonesë. Trenit elektoral të ish-biznesmenit zezak po i mbaron avulli – sipas sondazhit të fundit të ABC News/Washington Post, ai ka mbetur në nivelin 23% përkrahje mes republikanëve, ndërkohë që rivali i tij Mitt Romney figuron si i vetmi kandidat që ka shans të mundë Obamën në garën presidenciale të 2012-ës.
E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.